Lidhje

BP filloi pompimin e çimentos në pusin e dëmtuar në Gjirin e Meksikës

  • Zëri Amerikës

Gjigandi i naftës BP thotë se filloi sot pompimin e çimentos në pusin e dëmtuar në Gjirin e Meksikës, në kuadër të strategjisë për mbylljen e pusit, më shumë se 3 muaj pas çarjes së tij.

Në një konferencë shtypi, zyrtari i qeverisë amerikane në krye të operacioneve në Gjirin e Meksikës, admirali në pension i Rojës Bregdetare, Thad Allen, tha se procesi i çimentimit do të vazhdojë deri nesër.

Ai tha se sapo çimentimi të përfundojë, do të jetë thuajse plotësisht e sigurtë që nafta nuk do të rrjedhë e lirë.

BP mori miratimin e autoriteteve federale dje vonë që pusi i mbushur këto ditë me baltë të vazhdojë të mbushet me çimento për ta mbyllur atë përfundimisht.

Admirali në pension Allen, ka autorizuar kompaninë BP të çimentojë pusin e çarë, nga ku ka rrjedhur nafta e papërpunuar që nga shpërthimi i një platforme në muajin prill.

Mirëpo dje vonë zoti Allen tha se zbatimi i procedurës nuk do të vonojë shpimin e një pusi lehtësues. Ky pus lehtësues konsiderohet të jetë zgjidhja përfundimtare për mbylljen e pusit të dëmtuar.

Më parë, ekipet e operacioneve arritën të ndalin naftën, duke hedhur baltë përmes një ecurie të njohur si “mbyllje e përhershme”.

XS
SM
MD
LG