Lidhje

SHBA: Vlerësohen gratë pilote në Luftën e Dytë Botërore

  • Xhun Sims

SHBA: Vlerësohen gratë pilote në Luftën e Dytë Botërore

SHBA: Vlerësohen gratë pilote në Luftën e Dytë Botërore

Grave amerikane që shërbyen si pilote gjatë Luftës së Dytë Botërore, më në fund iu vlerësua kontributi që dhanë në ushtrinë amerikane. Këtë vit, ato u nderuan me medaljen më të lartë të Kongresit. Në vazhdim, historia e tyre, dhe përjetimet gjatë viteve të shërbimit ushtarak:

Në fillim të këtij viti, gratë e para pilote që drejtuan aeroplanët ushtarakë, më në fund u vlerësuan për kontributin e tyre. Ato u quajtën pilotet e shërbimit ajror amerikan, ose WASP.

Në muajin mars pjesëtaret e mbijetuara të këtij grupi morën nga Kongresi medaljen më të lartë për shërbimin civil, Medaljen e Artë të Kongresit. Pilotja veterane Deanie Parrish tha në ceremoninë e mbajtur në Kongres:

“Rreth 65 vjet më parë ne i shërbyem vendit jo për lavdi apo për t’u bërë të njohura. E bëmë pa bërë kompromise, me vlerat që u brumosëm: nderin, integritetin, patriotizmin, besimin dhe angazhimin”.

Shumë njerëz besonin se gratë nuk duhet të shërbenin në ushtri, e aq më pak si pilote.

Por në fillim të Luftës së Dytë Botërore pati mungesë pilotësh. Zhaklinë Kochran pilote e njohur në Shtetet e Bashkuara në atë kohë, besonte se përgatitja e grave për të shërbyer si ndihmës pilote brenda vendit, mund të krijonte mundësinë që shumë pilotë burra të shërbenin në operacione fluturimi jashtë vendit.

Më shumë se 25 mijë gra bënë kërkesë për të marrë pjesë në programin e kualifikimit si pilot. Rreth 1,800 prej tyre u pranuan dhe nga këto 60% përfunduan stërvitjen. Faza e përgatitjes së tyre nisi në nëntor të vitit 1942.

Një vit më pas, 25 gra u përgatitën që të fluturonin me avionët e njohur si “Widowmaker”. Disa pilotë refuzuan që të fluturonin me këta avionë sepse shumë prej tyre u përplasën gjatë provave. Shumë pilotë kishin vdekur.

Grave pilote iu kërkua që t’i pilotonin këta avionë. E bija e Deanie Perrish, Nency, thotë se ato e dinin rrezikun, por dolën vullnetare për ta kryer këtë provë të rrezikshme.

“Aeroplanët nuk e dinë dallimin mes grave dhe burrave pilotë. Avioni dallon pilotin e mirë ose të papërgatitur. Dhe të gjitha gratë pilote ishin pilote të mira”.

Por shërbimi i grave pilote nuk ishte zyrtarizuar. Mbas pak javësh programi u mbyll, me mbarimin e luftës. Vajzat që kishin paguar vetë për këtë trajnim, duhej të paguanin edhe kthimin e tyre në shtëpi. 38 vajza u vranë gjatë trajnimit, dhe familjet e tyre paguan edhe për shërbimet mortore.

Një prej tyre ishte dhe Mary Howso, vdekjen e së cilës ushtarakët e bazës në Texas, ia njoftuan së jëmës me një telegram ku i shkruanin “Vajza juaj u vra sot në mëngjes. Kur doni t’jua nisim trupin?”

Deri në vitin 1976, rreth 30 vjet mbas programit të përgatitjes së tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtria nuk i pranoi zyrtarisht gratë pilote.

Në vitin 2000 Bibloteka e Kongresit nis projektin e Historisë së Veteranëve, me qëllim që historitë e tyre të njiheshin nga kombi dhe të fiksoheshin në kujtesën e popullit amerikan.

11 nëntori është Dita e Veteranëve në SHBA, datë e cila është vendosur të shënohet si e tillë që në vitin 1919.

Sot ka rreth 22 milion veteranë në SHBA, nga të cilët 1,5 milion janë gra.

Në këtë ditë, të gjithë kujtojnë me nderim dhe respekt ata që i kanë shërbyer vendit, dhe njëkohësisht vëmendja e të gjithëve është tek pjesëtarët e familjeve dhe miqtë që ende i shërbejnë vendit duke shkuar në front.


XS
SM
MD
LG