Lidhje

Ekspertë amerikanë përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të luftuar varfërinë

  • Niko Kolombant

Ekspertë amerikanë përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të luftuar varfërinë

Ekspertë amerikanë përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të luftuar varfërinë

Zyrtarë qeveritarë, grupe ekspertësh dhe ekonomistë në Shtetet e Bashkuara po mundohen të gjejnë zgjidhje për të ulur nivelin e lartë të varfërisë. Byroja amerikane për Regjistrimin e Popullsisë tha se vitin e kaluar numri i amerikanëve të varfër ishte më i larti që kur të dhëna të tilla filluan të grumbullohen pesë dekada më parë.

Sipas Byrosë për Regjistrimin e Popullsisë, numri i njerëzve që jetuan në varfëri në Shtetet e Bashkuara në vitin 2009 ishte 14,3 përqind, gati një përqind më shumë sesa vitin e kaluar.

Kjo përqindje do të thotë se 43, 6 milionë amerikanë jetuan në varfëri vitin e kaluar. Në Shtetet e Bashkuara përkufizohen si të varfër ata që kanë të ardhura familjare prej 22 mijë dollarësh për një familje me katër persona.

Avis Xhouns-DeUiver i Këshillit Kombëtar për Gratë Zezake i analizon nga afër shifrat dhe thotë se më shumë se një në katër afrikano amerikanë dhe hispanikë në Shtetet e Bashkuara jetojnë në varfëri si edhe një në çdo pesë fëmijë.

“Këto statistika duhet të shërbejnë si një thirrje për zgjimin e Amerikës. Ka ardhur koha për të luftuar seriozisht varfërinë. Në fakt, kjo domosdoshmëri është më kritike tani sesa kurrë më parë, duke patur parasysh atë që unë do ta karakterizoja si një gjendje të mjeruar të rrjetit tonë për mbrojtjen sociale të popullatës”.

Por në një diskutim me analistë të varfërisë që u takuan në Uashington këtë javë, drejtori i firmës Deloitte Counsulting, Uejd Horn, paralajmëroi se ambjenti politik në Shtetet e Bashkuara nuk është i favorshëm për shpenzime më të madha qeveritare për të luftuar varfërinë.

“Nuk jam i sigurtë në se jemi në një moment politik ku mund të justifikohet lehtë një rritje dramatike e shpenzimeve qeveritare. Në fakt, po të marrim parasysh borxhin dhe defiçitin, mendoj se mund të jemi në fillimin e një pakësimi të shpenzimeve qeveritare dhe jo të një zgjerimi të shpenzimeve”.

Zoti Horn bën thirrje për politika agresive ekonomike nga ana e qeverisë për të krijuar rritje të vendeve të punës në sektorin privat, krahas strategjive kundër varfërisë.

Niveli i lartë i varfërisë vjen ndërsa ka një shkallë të lartë papunësie veçanërisht në sektorët e dominuar nga meshkujt në ekonomi, si ndërtimi dhe prodhimi.

LaDona Paveti është në Qendrën për Prioritetet e Politikave dhe të Buxhetit. Ajo thotë se disa shtete amerikane kanë nisur programe për të subvencionuar vende pune në sektorin privat dhe kanë patur sukses të lartë.

“Kemi parë se këto programe sjellin përfitime të mëdha, veçanërisht për bizneset e vogla. Ajo që ka ndodhur me bizneset e vogla është se i ka lejuar ato të jenë në gjendje të vazhdojnë biznesin gjatë këtyre kohëve me kërkesa të ulta. Gjithashtu ka lejuar që disa biznese të vogla të zgjerohen duke krijuar kështu vende të reja pune.”

Pavetti thotë se shumë nga këto programe nuk kanë fonde tani dhe se qindra mijëra njerëz që kanë qënë të punësuar mund të humbasin punën.

Por Nikolas Eberstadt me Institutin American Enterprise paralajmëron kundër subvencioneve nga qeveria si një strategji të përhershme për ekonominë amerikane.

“Në shumë vende në Evropën Perendimore që kanë ndjekur programe të tilla gjatë viteve sheh mungesë elasticiteti të forcës punëtore dhe zhvillimin e barrierave për të hyrë në treg. Kështu që mendoj se duhet të kemi kujdes me programe të tilla”.

Presidenti Barak Obama tha se politikat e tij ekonomike si paketa stimuluese po mbajnë miliona amerikanë të tjerë larg varfërisë. Presidenti ka fajësuar politikat e paraardhësit të tij, ish presidentit George W. Bush për krijimin e një situate të vështirë ekonomike për shumë amerikanë. Por republikanët e opozitës thonë se shpenzimet galopante të qeverisë e kanë përkeqësuar situatën.

Shifrat e reja të varfërisë vijnë vetëm disa javë para zgjedhjeve të nëntorit për në Kongres.

XS
SM
MD
LG