Lidhje

Obama, Medvedev nënshkruajnë marrëveshjen për pakësimin e armëve bërthamore

  • Kent Klain

Presidenti Barak Obama dhe Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, nënshkruan një traktat të rëndësishëm për pakësimin e arsenaleve bërthamore të të dy vendeve me 30 përqind secili. Traktati i nënshkruar sot në Republikën Çeke i lë të dy vendet me nga 1500 armë strategjike bërthamore. Të dy udhëheqësit e vlerësuan traktatin gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Pragë dhe Presidenti Të dy presidentët u zotuan gjithashtu se do të shqyrtojnë mundësinë e sanksiove të reja për Iranin, në qoftë se republika islamike vazhdon të refuzojë pezullimin e programit të saj për pasurimin e uraniumit dhe hapjen e negociatave për programin e saj bërthamor që dyshohet se po zhvillon.

Në një sallon luksoz, të dy vendet ranë dakort të pakësojnë arsenalet e tyre. Presidenti Barak Obama dhe Dmitri Medvedev nënshkuan traktatin e parë të rëndësishëm të armëve bërthamore në gati dy dekada. Zoti Obama tha se traktati është një hap i rëndësishëm përpara për sigurinë botërore.

“Sot, është një ditë e rëndësishme për sigurinë dhe mospërhapjen e armëve bërthamore dhe për marrëdhëniet Amerikë-Rusi”.

Udhëheqësi rus tha se negociatat e njëvjeçare ishin të vështira por puna e të dyja palëve solli sukses.

“Kjo na mundëson të arrijmë atë që vetëm dy muaj më parë dukej një mision i pamundur. Brenda një kohe të shkurtër përgatitëm një traktat të ri dhe e nënshkruam atë”.

Traktati kërkon që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të shkurtojnë inventarin e mbushjeve bërthamore me një të tretën gjatë shtatë vjetëve. Marrëveshja kërkon gjithashtu përgjysmimin e numrit të raketave, nëndetëseve dhe bombarduesve që i mbajnë këto armë. Zoti Obama tha se përveç kësaj, traktati u hap rrugën bisedimeve të mëtejshme me Rusinë për pakësimin e armëve, kryesisht atyre bërthamore me rreze të shkurtër veprimi.

“Ky traktat do t’u hapë rrugën shkurtimeve të mëtejshme. Ne shpresojmë të vazhdojmë diskutime të tjera me Rusinë për të pakësuar armët taktike dhe strategjike, përfshi edhe armët e padislokuara”.

Traktati zëvendëson atë të vitit 1991 të nënshkruar nga presidenti amerikan George H.W. Bush dhe presidenti rus Mikhail Gorbachev.

Në takimin e tyre prej një orë e gjysmë para ceremonisë, Presidenti Obama i bëri thirrje zotit Medvedev të mbështesë sanksionet e reja të OKB-së kundër Iranit lidhur me programin e tij të pasurimit të uraniumit. Udhëheqësi rus tha se çështja nuk ka të bëjë me vendosjen apo jo të sanksioneve por formulimi i tyre.

“Sankionet e menduara mirë duhet të motivojnë palë të caktuara të sillen me përgjegjshmëri dhe kam besim se ekipet tona që do të angazhohen në konsultime do të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje”.

Traktati bërthamor duhet të nënshkruhet nga Duma ruse dhe Senati amerikan. Miratimi rus thuhet të jetë pothuajse i sigurtë. Shumë ekspertë thonë se miratimi në Senatin amerikan nuk është i sigurtë por se perspektiva duket optimiste.

XS
SM
MD
LG