Lidhje

Portret i Faizal Shahzadit; Metamorfoza drejt ideologjisë ekstremiste

  • Ravi Khana

Portret i Faizal Shahzadit; Metamorfoza drejt ideologjisë ekstremiste

Portret i Faizal Shahzadit; Metamorfoza drejt ideologjisë ekstremiste

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder thotë se Faisal Shahzad, pakistanezo-amerikani i akuzuar për komplot terrorist në sheshin Times Square, po u ofron informacion të dobishëm hetuesve dhe autoritetet po ndjekin linja të reja në hetime. Zoti Holder tha ditët e fundit në Uashington, se megjithëse bomba nuk shpërtheu, ajo shërbeu për t’u kujtuar të gjithëve se terroristët thurin plane për të vrarë amerikanët. Por kush janë këta individë që duan të vrasin amerikanë? Kush është Faisal Shahzad?

Ndërkohë që Faisal Shahzad dëshmon para hetuesve, po lindin pyetje të reja lidhur me arsyet që dikush si ai bëhet terrorist. Dikur ai dukej se po përjetonte ëndrrën amerikane. Ai kishte imigruar në Amerikë, kishte marrë shtetësinë amerikane dhe pasi kishte marrë 2 diploma universitare, ai filloi punë si analist financiar.

Por Shuja Navaz i Këshillit Atlantik, nënvizon se edhe disa prej autorëve të sulmeve terroriste më 11 shtator 2001, rridhnin nga familje të pasura:

“Këta nuk janë terroristë të pa arsimuar, të cilët rekrutohen dhe përdoren nga grupe lokale. Këta janë individë, të cilët mendojnë se mund të bëjnë diçka spektakolare”.

Xherrold Post, autori i librit “Mind of a Terrorist” nënvizon se gazetat amerikane citojnë zyrtarë të afërt me hetimet, sipas të cilëve Shahzad u kishte thënë se ishte frymëzuar nga Anvar al-Avlaki, kleriku amerikan që strehohet në Jemen. Awlaki i ka shfrytëzuar predikimet fetare në internet, për të rekrutuar amerikanë të fesë islame, për t’i kthyer kundër Amerikës:

“Ai ua mbush mendjen se nuk është faji i tyre. Fakti që janë të pakënaqur me punën apo arritjet në jetë është i Amerikës, që ua mohon këto të drejta”.

Zoti Post shpjegon se si Avlaki përpiqet të bindë pasuesit e tij se Islami është në rrezik:

“Së pari, ai i paraqet myslimanët si viktima. E dyta ai thekson nevojën për xhihad vetëmbrojtës, duke thënë se Perëndimi do të shkatërrojë fenë islame dhe ata duhet ta mbrojnë. E treta, ai predikon se ata që martirizohen për kauzën e lartë do të shpërblehen në parajsë. Është një mesazh i fuqishëm”.

Të dy analistët thonë se tranzicioni i Shahzadit ishte gradual dhe ishte rezultat i një ndërthurjeje të fesë me revoltimin.

Zoti Post vë në dukje udhëtimet e shumta që bëri Shahzadi në Pakistan që në vitin 1998 kur erdhi fillimisht në Amerikë dhe faktin që vendlindja e tij është pranë rajonit pakistanez ku ekstremistët tani janë objektiv i sulmeve amerikane me avionë të telekomanduar.

“Në Pakistan ka ndjenja të forta anti-amerikane, të cilat janë amplifikuar nga vrasjet e shkaktuara nga avionët e telekomanduar. Avionët kanë në shenjestër udhëheqës talebanë, por për fat të keq, shkaktojnë edhe viktima të pafajshme. Këto vrasje trumpetohen nga Al-Kaida dhe talebanët si veprime të Amerikës kundër myslimanëve”.

Analistët nënvizojnë se amerikanët myslimanë janë pjesë e shoqërisë amerikane dhe në shumicën e rasteve ndeshen me diskriminim si në Amerikë edhe në Evropë. Por zoti Navaz thotë se nevojitet më shumë angazhim nga pjesa e moderuar e komunitetit mysliman, për të ofruar një alternativë ndaj mesazheve provokuese të Awlakit.

“Në këtë pikë kanë dështuar jo vetëm vende si Pakistani, nga ku e kanë origjinën disa terroristë apo individë të dyshimtë, por edhe një pjesë e diplomacisë publike amerikane. Amerika duhet të përqendrohet në përpjekjet për të tërhequr udhëheqës të komunitetit mysliman në Indi, Pakistan apo Indonezi, të cilët e lidhin islamin me kohët moderne”.

Analistët thonë se çështjet thelbësore janë sfidat e rinisë myslimane, të cilat mund të shndërrohen në kauza politike që i nxisin të rinjtë të bëhen vrasës. Kjo mund të shmanget nëse mesazhi i klerikëve si Awlaki neutralizohet nga zërat e myslimanëve të moderuar.

XS
SM
MD
LG