Lidhje

Shtohen operacionet sekrete amerikane ne luften kunder terrorizmit


Megjithëse publikisht nuk është e dokumentuar, duket se Shtetet e Bashkuara po mbështeten më shumë në veprime sekrete kundër armikut në luftën kundër terrorizmit.

Një nga shenjat e para për mundësinë e përdorimit të operacioneve sekrete doli në pah majin e kaluar kur John Brenan, këshilltar i presidentit Obama për Sigurinë Kombëtare dhe Antiterrorizmin, foli gjatë një takimi në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në kryeqytetin amerikan. Tema e diskutimit të tij ishte Strategjia e presidentit për Sigurinë Kombëtare që do të publikohej një ditë më vonë.

"Për t’i mohuar një strehë të sigurtë al-Kaidës dhe aleatëve të saj, ne do ta dërgojmë betejen në gjirin e saj dhe ekstremistëve kudo që ata komplotojnë dhe trajnohen: në Afganistan, Pakistan, Yemen, Somali dhe gjetkë. Jo vetëm që po realizojmë goditje të rënda ndaj udhëheqjes së al-Kaidës dhe partnerëve të tyre, por ne po ndihmojmë edhe qeveritë që të ndërtojnë kapacitetet e tyre që të ofrojnë sigurinë për vetveten, po i ndihmojmë që të eliminojnë kancerin e al-Kaida që po shfaqur brenda kufijve të tyre dhe po i ndihmojmë që të parandalojnë rikthimin e tyre".

John Brenan, këshilltar i presidentit Obama për Sigurinë Kombëtare dhe Antiterrorizmin shtoi se...

"Në të gjitha përpjekjet tona, ne do të përdorim forcën tonë me urtësi, duke pranuar se shpesh ne duhet të përdorim bisturinë dhe jo çekiçin".

Zëri i Amerikës u përpoq të merrte një reagim zyrtar lidhur me njoftimet për operacione sekrete dhe një zyrtar amerikan tha se, nuk është sekret që ne jemi të angazhuar në një luftë serioze kundër një armiku brutal, të vendosur dhe të adaptueshëm apo që ne duhet të ripunojmë strategjitë tona që t’u paraprijmë veprimeve të tyre. Zyrtari amerikan tha se kërcënimi është global, kështu që reagimi ndaj tyre nuk mund të jetë i kufizuar. Ai shtoi se duhet mbështetur në çdo mjet në dispozicion për të konfrontuar terroristët të cilët po planifikojnë sulme kundër Amerikës dhe aleatëve të saj.

Ndoshta beteja sekrete që është bërë më publike është përdorimi i aeroplanëve të telekomanduar luftarakë që po vënë në shenjestër terroristët në Pakistan. Por gjithashtu ka njoftime për operacione në Jemen, pjesë të Afrikës dhe në Afganistan. Daniel Markey është specialist i çështjeve të Indisë, Pakistanit dhe Azisë Jugore me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

"Mendoj se operacionet e forcave speciale amerikane janë zgjeruar në mënyrë radikale në Afganistan. Nuk e kam të qartë se çfarë nënkupton kjo për operacionet në Pakistan. Por, mesa di unë, përpjekjet në Afganistan po japin rezultate në nivel operacional kur flitet për goditjen e talebanëve dhe mbështetësve të tyre kryengritës. Por ende nuk është e qartë se çfarë efekti strategjik kanë patur këto përpjekje. Dua të them se nuk është e qartë që kjo po ndryshon drejtimin e luftës në Afganistan apo po ndikon në vrullin që talebanët kanë patur gjatë viteve të fundit".

Lidhur me pjesmarrjen në këto operacione, Daniel Markey me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë shprehet.

"Mendoj se në bazë të njoftimeve të mëparshme por edhe këtyre të fundit, në operacione po marrin pjesë një sërë grupesh, disa janë kontraktorë, disa janë forca speciale dhe disa janë nga agjenci të ndryshme si CIA etj. Nuk e di sa të mëdhenj janë në numër por nga ajo që kam parë dhe dëgjuar, duket qartë se është një rritje e shpejtë krahasuar me vitin e kaluar në Afganistan".

Specialisti për çështjet e Indisë, Pakistanit dhe Azisë Jugore në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se natyra e luftës kundër terrorizmit i bën të nevojshme operacionet e fshehta.

"Operacionet e fshehta të kësaj natyre janë të nevojshme në vendet ku qeveritë nuk kanë aftësitë apo gatishmërinë për të trajtuar vetë këto probleme. Flitet për shtetet ku qeverisja është e dobët si Somalia, Jemeni apo Afganistani dhe deri diku edhe Pakistani. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë të dhëna dhe qasje apo aftësi për të goditur këto grupe sesa vetë qeveritë. Dhe kur shfaqet mundësia për ta bërë këtë, gjithashtu edhe nga prirja se qeveritë në rajon mund të mos ndërmarrin hapat e duhur, Uashingtonit i duhet ta bëjë këtë vet".

Por ka disa argumente kundër operacioneve të fshehta. Disa thonë se kjo nxit zemrim anti-amerikan mes popullatës lokale, ndërkohë që të tjerë shprehen se mund të errësojë linjat ndërmjet ushtarëve dhe spiunëve duke zbehur mbrojtjen që ofron Konventa e Gjenevës. Nga ana tjetër vihet re shtimi i mbështetjes për luftë të fshehtë. Ligjvënësi amerikan Adam Smith citohet nga gazeta The New York Times të ketë thënë se “Për herë të parë në historinë tonë, një grup i ka deklaruar luftë të fshehtë vendit tonë dhe ne po përdorim element të ngjashëm të fuqisë amerikane për t’u kundërpërgjigjur ndaj kësaj lufte të fshehtë”.

XS
SM
MD
LG