Lidhje

Trafiku njerëzor problem edhe brenda kufijve të SHBA


Trafiku njerëzor problem edhe brenda kufijve të SHBA
Trafiku njerëzor problem edhe brenda kufijve të SHBA

Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët dhe veprimtarët që merren me luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore thonë se skllavëria nuk është problem vetëm jashtë kufijve të Amerikës. FBI-ja thotë se djem, vajza e gra trafikohen çdo ditë në qytete të mëdha amerikane, përfshirë Uashingtonin. Disa janë viktima të punës së detyruar, të tjerët shfrytëzohen në tregtinë e seksit.

Thuajse në çdo qytet kryesor të Shteteve të Bashkuara, veprimtarët thonë se viktimat e skllavërisë shfrytëzohen çdo ditë.

“Trafiku njerëzor është problem serioz në Shtetet e Bashkuara,” thotë Bradley Miles i Projektit Polaris, një organizatë që lufton trafikon njerëzor. Zoti Miles thotë se viktimat detyrohen të punojnë në shtëpitë e të pasurve dhe në restorante. Shumë të tjerë, veçanërisht gratë, prostituohen me forcë.

“E kemi parë me sytë tanë se çfarë ndodh. Nuk e marrim informacionin nga një burim tjetër. Kemi hyrë në këto vende, i kemi ndihmuar këto gra”.

Projekti Polaris ka një linjë telenike për viktimat e trafikut, ku marrin telefonata nga i gjithë vendi.

“Marrim telefonata nga Teksasi, nga Kalifornia. Marrim telefonata nga Nju Jorku, nga Florida. Uashingtoni është një ndër 5 qytetet me vëllim më të madh telefonatash”.

Grupi “Të pafajshëm në Rrezik” ka krijuar këtë video për të informuar publikun. Themeluesja e grupit Deborah Sigmund thotë se pjesa më e madhe e viktimave të trafikut njerëzor janë me prejardhje nga vende të varfëra dhe i ka sjellë në Amerikë premtimi i një jete më të mirë:

“Ata mendojnë se mund të vijnë në Amerikë dhe të gjejnë një punë të mirë. Pra nuk është vështirë t’i gënjesh.”

Veprimtarët thonë se disa nga viktimat detyrohen me forcë të punojnë si prostituta në bordello të maskuar si sallone për masazhe. Tim Whitman i FBI-së është ekspert i trafikut njerëzor në Shtetet e Bashkuara.

“Vendi numër një është Meksika. Afro 20 për qind e viktimave janë nga Meksika”.

Kryeqyteti amerikan nuk gëzon imunitet nga ky problem. Në Uashington, Projekti Polaris ka dokumentuar viktima me shtetësi amerikane dhe gra nga Koreja e Jugut, Kina dhe Amerika Latine.

Megjithëse ka klientë që i përkasin shtresës së mesme të komunitetit lokal, shumë bordello pranojnë vetëm një

“Nëse dikush nga Koreja sillet në Shtetet e Bashkuara nën pretekst të rremë dhe më pas e detyrojnë në prostitucion, në pjesën dërrmuese të rasteve, viktima prostituohet komunitetit korean në Shtetet e Bashkuara”.

Një studim 21 mujor nga Qendra për Trafikun Njerëzor njofton se afro 83 për qind e rasteve që dyshohen si trafik njerëzor kanë të bëjnë me tregtinë e seksit. Veprimtarët thonë se ndër format e tjera të skllavërisë, përfshihet puna e detyruar, qoftë si shërbëtor në një familje apo në bujqësi. FBI-ja thotë se trafikantët shpesh i kërcënojnë viktimat e tyre dhe ua bëjnë të vështirë të paguajnë borxhet:

“Zakonisht ata kërcënojnë familjen e të trafikuarit, që ndodhet në një vend tjetër. Kjo e detyron individin të ofrojë shërbime apo të punojë si skllav në Shtetet e Bashkuara. Një kërcënim tjetër është se nëse largohen, ata i kërcënojnë se do t’i denoncojnë tek autoritetet e imigracionit, se do të arrestohen dhe do të burgosen për një kohë të gjatë”.

Faktikisht ata mund të marrin ndihmë. Viktimat e trafikut njerëzor në disa raste mund të marrin viza të posaçme që u japin mundësi të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara deri në 3 vjet. Gjatë asaj kohe ata mund të kërkojnë statusin e banorit të përhershëm. Por kërcënimet, frika nga autoritetet dhe mosnjohja e gjuhës angleze, i bën viktimat shpesh të paafta për të kërkuar ndihmë.

XS
SM
MD
LG