Lidhje

DASH: Angazhimi shumëpalësh përparësi e SHBA në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB


Një zyrtare e Departamentit amerikan të Shtetit paraqiti dje përparësitë e administratës për Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, duke vënë në pah se para sëgjithash, sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, do të zvhillojë një takim me të mbërritur në Nju Jork mbi ndihmat për përmbytjet në Pakistan.

Ndimës sekretarja e Shtetit për çështjet e organizatës ndërkombëtare, Ester Brimer, theksoi se takimi i kësaj radhe i Asamblesë të Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara do të jetë i dyti gjatë administratës së Presidentit Barak Obama.

"Vitin e kaluar, Presidenti Obama e bëri të qartë qëllimin e tij për t’i çuar Shtete e Bashkuara përsëri në tryezën shumëpalëshe dhe ai qëllim u përkufizua si një epokë angazhimi”.

Ajo tha se gjatë vitit të kaluar, ideja u shndërrua në një epokë veprimi. Brimmer vuri në dukje angazhimin e Sheteve të Bashkuara në konferencën për sigurinë dhe mospërhapjen e armëve bërthamore, nënshkrimin e traktatit për pakësimin e armëve të reja strategjike dhe vitin e parë të Shteteve të Bashkuara si vend anëtar i Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.

Për të ardhmen, zonja Brimmer u tha gazetarëve dje në Departamentin e Shtetit se Shtetet e Bashkuara kanë katër objektiva kryesore për Asamblenë e Përgjithshme: Përqendrimin në objektivat e zvhillimit të mijëvjeçarit, përmirësimin e mjeteve të Kombeve të Bashkuara për paqen dhe sigurinë, nxitjen e të drejtave të njeriut dhe sfidat e mjedisit.

Brimmer tha se sekretarja Klinton do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të lidhura me paqen në Lindjen e Mesme gjatë qendrimit të saj në Nju Jork. Ajo tha se takimi i parë i zonjës Klinton me të mbërritur në Nju Jork është një takim me zyrtarë të lartë nga vende të tjera për të ndihmuar Pakistanit të përballojë gjendjen pas përmbytjeve.

Sekretarja Klinton dhe ministri i Jashtëm i Australisë, Kevin Rud u takuan në Departamentin e Shtetit dje, ku theksuan rëndësinë e përpjekjeve për të ndihmuar Pakistanin. Kryediplomati australian sapo ishte kthyer nga një vizitë në provincën qendrore Punxhab të Pakistanit dhe tha se gjendja humanitare atje ishte tepër e rëndë.

"Mesazhi im i thjeshtë për komunitetin ndërkombëtar është se sfida vazhdon të jetë e pranishme. Rreziku i sëmundjeve nga uji i ndotur për popullin e Pakistanit mbetet i madh dhe mundësia e epidemisë vazhdon të jetë reale”.

Ndërkohë që gjendej në Pakistan, zoti Rud u takua me të dërguarin e posaçëm amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Holbruk, dhe ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Shah Mehmood Qureshi. Sekretarja Klinton vlerësoi angazhimin e Australisë për të ndihmuar popullin e Pakistanit.

"Dhe tani na duhet të sigurojmë se fondet i shkojnë popullit të Pakistanit për të lehtësuar vuajtjet e tij dhe për ta ndihmuar në rindërtimin e vendit”.


Shirat monsune të muajit korrik në rajonin verior të Pakistanit sollën përmbytje të mëdha deri në rajonet jugore të vendit. Më shumë se 1700 njerëz humbën jetën dhe miliona të tjerë mbetën pa strehë.

XS
SM
MD
LG