Lidhje

Uashingtoni nderon një berber të personaliteteve dhe qytetarëve të thjeshtë


Uashingtoni nderon një berber të personaliteteve dhe qytetarëve të thjeshtë
Uashingtoni nderon një berber të personaliteteve dhe qytetarëve të thjeshtë

Salloni i Diego D'Ambrozio ka qenë prej afro 50 vjetësh një pikë e njohur për prerje flokësh në Uashington. Në një ditë të zakonshme, në karriget e sallonit mund të shohësh një anëtar të Gjykatës së Lartë apo një ambasador, por edhe një punëtor picerie që kanë ardhur për të prerë flokët. Ky imigrant nga Italia ka bërë shumë miq e shokë përmes punës në Uashington, dhe kohët e fundit u nderua në mënyrë të veçantë nga qyteti i tij i adoptuar, Uashingtoni:

Diego D'Ambrozio i përshëndet ngrohtë të gjithë ata që futen në sallonin e tij. Ai gjithashtu i përcjell klientët me një "Ciao" të përzemërt kur largohen. D'Ambrozio është italian. Ai e hapi sallonin e tij në zonën Dupont Circle të Uashingtonit pak pasi imigroi në Shtetet e Bashkuara në vitet 1960. Ai thotë se ka mijëra klientë të rregullt, dhe po aq miq e shokë.

"Vërtetë kam mijëra miq. Ata janë gjithmonë miq të mi, pasi janë ulur në karriget e sallonit".

Ndër miqtë e tij janë disa personalitete të elitës së Uashingtonit si dhe diplomatë të huaj. Muret e sallonit të Diegos janë të mbushura me fotografitë e tyre, që ata vetë ia kanë dhënë në shenjë të miqësisë së ndërsjelltë.


"Çdo gjë e kam këtu. Këtu kam gjithë botën. Të gjithë këta njerëz, mbi 135 ambasadorë, mbi 26 presidentë dhe kryeministra, të gjithëve u kam shërbyer".


Por jo vetëm presidentë e kryeministra. Ka edhe uashingtonas të thjeshtë, si Steve Levy, i cili i pret flokët këtu. Zoti Levy jeton jo larg sallonit të Diegos dhe gjatë 25 vjetëve të fundit, thuajse çdo të premte pasdite, vjen për të prerë flokët.

“Përveç faktit që Diego pret flokët shumë mirë, ky sallon është një institucion në qytet dhe përfaqëson shumë aspekte të mira. Është ndër momentet e preferuara të javës sime, kur vij të premten pasdite dhe bisedoj me Diegon e pres flokët. Ai është njeri i ngrohtë, i mprehtë dhe i dashur. Ai është një pjesë e mrekullueshme e Uashingtonit”.

D'Ambrozio është gjithashtu një fqinj i mirë, thotë StivGavula, i cili hapi 4 vjet më parë një restorant ngjitur me sallonin e Djegos. Të dy ata janë bërë miq dhe partnerë në përpjekjet për të ripërtërirë zonën.

"Kemi dalë për të pastruar trotuaret, për të mbjellë lule. U angazhuam për të hequr mbeturinat në pjesën e pasme të dyqaneve. Kemi punuar bashkë për të përmirësuar këtë pjesë të bllokut si nga pamja, edhe nga atmosfera”.

Zyrtarët e bashkisë kohët e fundit e nderuan D'Ambrozion për përpjekjet e tij për të zbukuruar dhe përmirësuar lagjen. Pas 47 vjetësh pune në këtë zonë ku ka ngritur biznesin, tani kjo pjesë e rrugës në lagjen Dupont Circle ka marrë emrin e Diego D’Ambrozios.

"Mendoj se fakti që tani kjo njihet si Rruga e Diego D’Ambrozios është një dëshmi fantastike e punës së tij. Ai e meriton,” thotë zoti Gavula.


D'Ambrozio është nderuar gjithashtu nga ambasada italiane për mbrojtjen e kulturës italiane. Por ai vetë krenohet me klientët që i kanë mbetur besnikë prej vitesh:

"Kur bën një punë që të pëlqen, nuk lodhesh kurrë e nuk plakesh kurrë”.

Diego nuk ka në plan të shkëputet ndonjëherë nga ajo që e cilëson si “puna më e mirë në botë”.

XS
SM
MD
LG