Lidhje

Reagime të përziera ndaj strategjisë së re bërthamore të Shteteve të Bashkuara


The focus of the Global Security Summit - to answer how to secure nuclear stockpiles against terrorists
The focus of the Global Security Summit - to answer how to secure nuclear stockpiles against terrorists

Shtetet e Bashkuara njoftuan këtë javë një politikë të re strategjike për armët bërthamore që vë theksin në veçanti tek kërcënimi bërthamor nga terroristë dhe shtete të papërgjegjshme. Disa analistë e shohin politikën e re si një hap të rëndësishëm përpara, ndërsa të tjerë e komentojnë si të papërgjegjshme.

Rishikimi i Strategjisë Bërthamore nga administrata Obama nuk i konsideron më fuqitë tradicionale si Rusia apo Kina, si kërcënime parësore bërthamore. Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates shpjegon:

“Rishikimi i strategjisë e identifikon parandalimin e terrorizmit bërthamor dhe përhapjes së armëve bërthamore si një përparësi kryesore në politikën bërthamore amerikane. Duke pasur parasysh përpjekjet e vazhdueshme të Al-Kaidës për armë bërthamore, përpjekjet e vazhdueshme të Iranit dhe Koresë, ky është fokusi i duhur”.

Strategjia e re ka si objektiv pakësimin e rolit të armëve bërthamore në stragjinë e sigurisë kombëtare. Por zyrtarët amerikanë thonë se kjo s’do të ndikojë në aftësinë e Amerikës për të mbrojtur veten apo aleatët.Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton:

“Për gjenerata të tëra, strategjia amerikane ka ndihmuar për të penguar përhapjen e armëve bërthamore duke u ofruar aleatëve tanë në NATO, Paqësor e pika të tjera, garanci dhe siguri. Politikat e parashtruara në këtë strategji na lejojnë të vazhdojmë këtë rol stabilizues”.

Për herë të parë Shtetet e Bashkuara thonë se nuk do të përdorin armët bërthamore kundër vendeve që nuk zotërojnë armë të tilla dhe që respektojnë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, edhe nëse këto vende sulmojnë Amerikën me armë biologjike apo kimike. Irani dhe Koreja e Veriut nuk përfshihen në këtë kategori.

Tom Collina i Shoqatës për Kontrollin e Armëve në Uashington thotë se strategjia e re është një hap pozitiv përpara:

“Thelbi i këtij dokumenti është të krijojë mbështetje ndër vendet e tjera në botë për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara në fushatën e tyre për ndalimin e programeve të tyre të armëve në Korenë e Veriut dhe Iran”.

Por analistë të tjerë shprehin shqetësimin se strategjia mund të japë efektin e kundërt. Mathew Bunn është specialist i sigurisë së programeve bërthamore në Universitetin Harvard:

“Për konservatorët në Phenian dhe ata në Teheran, të cilët kërkojnë armë bërthamore, tani ka lindur një argument i ri pro teorisë së tyre. Ata tani thonë: ‘Shtetet e Bashkuara thuajse e shprehën hapur se ne jemi objektiv sulmi, prandaj na duhen armët bërthamore për të parandaluar sulme të tilla’”.

Strategjia e re thekson se arsenali masiv bërthamor që Amerika trashëgoi nga Lufta e Ftohtë nuk është i përshtatshëm për të mbrojtur vendin nga sulmet vetëvrasëse terroriste dhe regjimet armike që kërkojnë armë bërthamore.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara do mbajnë nëndetëset me armë bërthamore, raketat balistike ndërkontinentale dhe avionë të aftë për të goditur me armë bërthamore.

Strategjia e re thotë se Amerika nuk do të zhvillojë mbushje të reja apo armë të reja bërthamore, gjë që kritikët thonë se dobëson mbrojtjen e vendit:

“Nëse amerikanët e kuptojnë se çfarë i pret, do të tmerroheshin”, thotë Frank Gafney, president i Qendrës për Politika të Sigurisë:

“Mendoj se populli amerikan do të revoltohet ndaj kujdo që i sulmon atdheun me armë kimike apo biologjike dhe do të revoltohet ndaj presidentit amerikan që thotë ‘Nuk do t’i ndëshkojmë autorët e një sulmi të tillë’ në një formë që ndoshta do ta kishte parandaluar sulmin. Është një politikë e papërgjegjshme”.

Javën e ardhshme, udhëheqësit e 47 vendeve do të vijnë në Uashington për të diskutuar përmirësimet në sigurinë e arsenaleve bërthamore. Në maj, një konference ndërkombëtare për Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore do të zhvillohet në Nju Jork në selinë e OKB-së.


XS
SM
MD
LG