Lidhje

Feja në Amerikë: Studimet e fundit flasin për përçarje të popullatës

  • Xherom Sokolovski

Feja në Amerikë: Studimet e fundit flasin për përçarje të popullatës

Feja në Amerikë: Studimet e fundit flasin për përçarje të popullatës

Një studim mbi fenë në Amerikë i publikuar kohët e fundit, tregon se vendi po bëhet gjithnjë e më i ndarë ndërmjet atyre që janë besimtarë të përkushtuar dhe atyre që nuk janë edhe aq të dhënë pas fesë apo madje kundër saj. Por nga ana tjetër, studimi ve në dukje se amerikanët nuk kanë qënë ndonjëherë kaq tolerantë ndaj njëri tjetrit.

Profesori i Universitetit Harvard, Robert Putnam, është një akademik me mjaft influencë. Në vitin 1995 ai publikoi një ese që transformoi mendimin rreth jetës shoqërore në Amerikë. Së bashku me profesorin nga Universiteti i Notre Dame-it, David Campbell, zoti Putnam ka publikuar tani atë që e quan studim të hollësishëm të rolit të fesë në jetën amerikane gjatë gjysmës së shekullit të fundit.

I bazuar në anketimet e rastësishme të 3 mijë njerëzve nga të gjitha besimet dhe fushat e jetës, ata gjetën se është formuar “një hendek i mirë” siç e cilësojnë ata. Amerikanët që janë shumë të dhënë pas fesë kanë prirje të jenë republikanë dhe i përkasin spektrit konservator, ndërkohë që njerëzit jofetarë kanë prirje të jenë progresistë apo votojnë për partinë demokrate. Profesori Putnam thotë se kjo është një ndarje shumë e re në jetën publike amerikane dhe vetëm pjesë e problemit.

"Në jetën private, amerikanët kanë qënë të përkushtuar për të lidhur marrëdhënie personale më të thella me njerëz të besimeve të ndryshme fetare, duke kapërcyer linjat fetare dhe jofetare".

Shtrohet pyetja se pse ka ndodhur kjo. Profesori Putnam thotë se besimi është bërë i paqëndrueshëm. Sipas studimit, thuajse një e treta e gjithë amerikanëve kanë ndryshuar besimet fetare, ndërkohë që më shumë se një e treta e të gjitha martesave janë mes njerëzve të besimeve të ndryshme.

"Pothuajse të gjithë amerikanët janë personalisht të dashuruar me dikë që i përket një feje apo tradite tjetër, gruaja burri apo i dashuri dhe e dashura, dhe është e vështirë të gjykosh negativisht për një fe nëse vet njeriu njeh dikë të atij besimi fetar".

Profesori Putnam thotë se praktikisht të gjithë amerikanët kanë një të afërm si ajo që ai e quan, “kushërira imagjinare Suzan”.

"Feja të tregon se teze Suzana nuk do të shkojë në parajsë sepse ajo nuk falet në altarin e duhur. Por nga ana tjetër ti e njeh mirë tezen Suzanë që është një njeri shumë i mirë. Dhe parajsën nuk e meriton askush më shumë se sa tezja Suzanë. Ajo është një grua e mrekullueshme".

Vetë familja e profesorit Putnam është një shembull i mirë. I rritur si një praktikues i fesë metodiste, ai u martua me një grua izraelite dhe u konvertua në fenë hebraike thuajse 50 vjet më parë. Ndërkohë, motra e tij u martua me një katolik, ndryshsoi fenë ndërsa fëmijët e saj janë protestanë evangjelistë.

Studimi gjeti se 80 përqind e amerikanëve besojnë se ka të vërteta themelore në shumë besime fetare. Ndërkohë 89 përqind besojnë se pjestarët e feve të tjera mund të shkojnë në parajsë. Profesorët Putnam dhe Campbell e konsiderojnë si bekim këtë lloj tolerance. Kjo është arsyeja që libri që publikuan mbi studimin në muajin tetor është titulluar Mirësia Amerikane – ku mirësia i përket një koncepti të krishterë që do të thotë një dhuratë e pamerituar nga Zoti.

Rod Dreher është një gazetar konservator i cili gjithashtu ka eksperiencë mbi ndryshimin e feve. Pasi është rritur në një familje metodiste, ai u bë katolik dhe tani është anëtar i kishës ortodokse.

Ai nuk është dakord me nocionin optimist të arritur nga autorët e librit American Grace.

"Mendoj se është një tragjedi amerikane që jemi çliruar nga traditat fetare, ku njerëzit në këtë vend mund të zgjedhin çfarëdo feje që duan apo asnjë, dhe kjo duket se nuk shqetëson askënd dhe është një shprehje e zgjedhjes personale".

Zoti Drehet i referohet gjetjeve të librit Mirësia Amerikane që thotë se 30 përqind e amerikanëve nga 18 deri 29 vjeç thonë se nuk i përkasin asnjë feje. Kjo figurë është pothuajse trefishuar nga studimet e bëra në vitin 1990. Zoti Dreher shpreh drojen se besimet fetare të praktikuara në Amerikë nuk do t’i qendrojnë asaj që ai e cilëson si “rrymë e modernizimit”.

XS
SM
MD
LG