Lidhje

“Sistemi arsimor i Kosovës në një pikë kthese”

  • Zamira Edwards

“Sistemi arsimor i Kosovës në një pikë kthese”

“Sistemi arsimor i Kosovës në një pikë kthese”

“Sistemi arsimor i Kosovës në një pikë kthese”, ishte tema e një diskutimi që u zhvillua dje në Institutin Amerikan të Paqes këtu në Uashington. Pjesëmarrëset folën rreth së kaluarës së arsimit në Kosovë, gjendjes aktuale si dhe objektivave të së ardhmes.

Përfaqësues të arsimit dhe fushave të tjera, të lidhura me të, ndodhen këto ditë në Uashington në bazë të programit Hope Fellowship.

Folëset e përqëndruan prezantimin e tyre në vështirësitë me të cilat përballet sistemi arsimor i të gjitha niveleve në Kosovë dhe përpjekjet që po bën shteti i ri për të krijuar një sistem konkurues me pjesën tjetër të botës e të Evropës, duke përfshirë edhe integrimin e pakicave në arsim, ashtu si në të gjitha aspektet e jetës në vend.

Diskutimi në Institutin Amerikan të Paqes u zhvillua vetëm disa orë pasi Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, zhvilloi një takim me të rinjtë në Prishtinë, gjatë të cilit ajo bëri thirrje që të rinjtë e Kosovës të arsimohen sa më mirë për t’u bërë udhëheqës të denjë të vendit të tyre.

“Ministria e arsimit po bën përpjekje për të ngritur cilësinë e arsimit dhe përmirësimin e strukturave fizike, duke ndërtuar shkolla të reja. Ajo është përqëndruar në formimin e kornizës së re të korikulit, në trajnimin e mësimdhënësve, në mënyrë që nxënësit të kenë kushte sa më të mira për të arritur suksese dhe për t’i shërbyer sa më mirë vendit në të ardhmen”, tha Fadile Dyla e ministrisë së Arsimit të Kosovës.

Zonja Dyla tha se sistemi arsimor i Kosovës përballet me një sërë vështirësish, përfshirë edhe vetë infrastrukturën. Ajo theksoi punën e bërë nga qeveria e Kosovës me ndihmën e donatorëve të huaj, veçanërisht të Usajdit.

Në shtetin e ri të Kosovës, arsimi, si një prej aspekteve më të rëndësishëm të përparimit shoqëror të vendit, ka kaluar nëpër një transformim rrënjësor gjatë një periudhe relativisht të shkurtër, nga sistemi i dyfishtë, shkollat shqipe, nga njëra anë, dhe shkollat serbe e turke, nga ana tjetër, tek shkollat shqipe në shtëpitë private e deri tek shkollat e integruara, madje edhe ato të gjelbra.

Kosova ka rreth 440 mijë studentë dhe rreth 28 mijë personel në fushën e arsimit, shifra këto që përbëjnë 25 për qind të popullsisë. Si rezultat, qeveria e Kosovës ka përballë një detyrë të vështirë për të arsimuar brezin e ri dhe të ardhmen e vendit.

“Kemi filluar kontaktet dhe bashkëpunimin me Fakultetin Ekonomik. Aktualisht po zhvillojmë një çertifikatë të njohur në gjithë botën e njohur si Europeat Foundation Certificate in Banking. Po diskutojmë me dekanatin e Fakultetit Ekonomik për mundësinë e transferimit të krediteve prej këtij programi në fakultet”, tha Diturie Hoxha, drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Zonja Hoxha tha se Shoqata e Bankave të Kosovës, një organizatë jo-qeveritare, ka si objektiv kryesor në fushën e arsimit të Kosovës ngritjen profesionale si dhe punësimin, që ajo parashikon të mbetet problem në të ardhmen e afërt.
Ngritja progesionale është aspekt shqetësues edhe nga pikpamja e burimeve njerëzore, tha Burbuqe Grajçevci, menaxhere në projektin e financiamit rural të Kosovës.

“Mendoj se sistemi i arsimit duhet t’u ofrojë nxënësve dhe studentëve më shumë mundësi për të marrë aftësitë teorike dhe praktike, që do t’i lidhnin ata më mirë me nevojat e tregut të punës”.

Megjithë vështirësitë e shumta në periudhën e pas konfliktit, folëset në diskutim theksuan përkushtimin e qeverisë së Kosovës, që në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, donatorët e ndryshëm dhe shqiptarët kudo në botë, ta ngrenë arsimin në Kosovës në përputhje me nivelet ndërkombëtare dhe evropiane.

XS
SM
MD
LG