Lidhje

Rusia rezervon të drejtën e tërheqjes nga traktati i ri i armëve bërthamore me SHBA


Rusia thotë se rezervon të drejtën të tërhiqet nga traktati i ri ruso-amerikan i armëve strategjike, nëse sistemi i mbrojtjes nga raketat që Amerika planifikon të dislokojë në Evropë përbën kërcënim strategjik për të.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i bëri komentet sot. Ky është komenti më i drejtpërdrejtë që Rusia ka bërë deri tani lidhur me arsyet e tërheqjes nga Traktati për Pakësimin e Armëve Strategjike. Ky traktat do të nënshkruhet nga presidenti amerikan dhe ai rus të enjten në Pragë.

Moska ka shprehur shqetësim lidhur me planet e administratës për të rishikuar sistemin e planifikuar për mbrojtje nga raketat, i cili mund të përfshijë interceptorë tokësorë të dislokuar në Rumani.

Zoti Lavrov tha se Moska ka të drejtën të tërhiqet nga traktati nëse interceptorët amerikanë bëhen të aftë të rrëzojnë raketa strategjike ruse dhe të dobësojnë sistemin e saj për mbrojtje nga sulmet bërthamore. Por ai shtoi se sistemi amerikan nuk do të ketë aftësi të këtij niveli në fazat e para.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha sot se Uashingtoni është përpjekur t’i shpjegojë Moskës qëndrimin amerikan se sistemi i mbrojtjes nga raketat nuk ka në shenjestër Rusinë. Ajo tha se administrata Obama i ka ofruar vazhdimisht Rusisë mundësinë të bashkëpunojë në këtë projekt.

XS
SM
MD
LG