Lidhje

SHBA, Vaksina nuk shkakton autizëm


SHBA, Vaksina nuk shkakton autizëm
SHBA, Vaksina nuk shkakton autizëm

Shkaktari i Autizmit nuk dihet. Disa mendojnë se shkaktohet nga zhiva a merkuri. Thimerosal është një loj sodiumi - që përmban rreth 50% zhivë - dhe është përdorur për ruajtjen e vaksinave. Një gjykatë federale thotë se nuk sheh asnjë provë për një lidhje midis vaksinës dhe autizmit. Prindërit e fëmijëve me Autizëm nuk janë dakord me këtë vendim. Debati vazhdon.

Thimerosal është një loj sodiumi - që përmban rreth 50% zhivë ose mërkur) - dhe njihet në tregun farmaceutik si Merthiolate që është përdorur për ruajtjen e vaksinave. Merthiolate gjithashtu përdoret në përgatitjen e imunoglobulinave, si antivenin kundër helmimeve nga pickimet e insekteve e gjarprinjëve, për produkte ndaj infeksioneve të syrit dhe hundës dhe në bojërat për tatuazh. Përdorimi i saj si një ruajtës vaksine është i diskutueshëm, dhe shkallë shkallë është duke u lënë jashtë vaksinave rutinë për fëmijët në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, dhe disa vende të tjera.

Për dekada disa prindër, shkencëtarë e mjekë janë mbërthyer në debat mbi një lidhje të mundshme midis autizmit dhe vaksinave që përmbajnë thimerosal. Madje mijëra prindër e çuan çështjen deri në gjyq duke thënë se tek fëmijët e tyre u shfaqën shenja autizmi pas vaksinimit. Por, një gjykatë federale thotë se nuk sheh asnjë provë për një lidhje midis vaksinës dhe autizmit.

Ky vendim i gjykatës ishte zhgënjyes për më shumë se 5.000 familje të cilat thonë se zhiva në thimerosal shkaktoi autizmin tek fëmijët e tyre.

Autizmi është një çrregullim kompleks neurologjik që ndikon në aftësinë e personit për të komunikuar dhe ndërvepruar me të tjerët. Kostoja e trajtimit të autizmit shpesh është tepër e lartë.

Në mënyrë që të merrni kompensim financiar nga qeveria, këtyre familjeve u duhej të provonin para gjykatësit se thimerosal në vaksina kishin shkaktuar autizmin tek fëmijët e tyre.

Rebeka Estep nga San Diego, ka një djalë 12 vjeçar me autizëm. Ajo ishte një prej prindërve që ndihmuan për t'a paraqitur këtë çështje para një gjykate të posaçme federale, e quajtur Gjykata e Vaksinës, që u krijua veçanërisht për trajtimin e padive të tilla. Znj. Estep thotë se u zhgënjye nga vendimi i gjykatës, megjithëse e parandjente një vendim të tillë, sepse Gjykata e Vaksinës, thotë ajo, është një organizëm ku avokatë të qeverisë mbrojtën një program për prodhimin e vaksinave të financuar nga qeveria dhe vendimi u morr nga gjykatës qeveritarë. Në kushte të tilla fëmijët nuk kishin shumë gjasa të fitonin, thotë ajo.

Gjykata shqyrtoi 600 faqe të dhënash dhe tha se nuk gjeti prova të qarta që të lidhnin thimerosalin me autizmin. Por, grupe kundër vaksinës e kritikuan këtë vendim. Një anketë opinioni mbarë kombëtar tregon se 1 në 4 prindër në Shtetet e Bashkuara beson se vaksinat përmbajnë thimerosal që shkakton autizmin, ndërsa 1 në 8 prindër nuk ka pranuar të vaksinojë fëmijët e vet.

Kjo nuk është për t'u befasuar thotë Arthur Allen, autor i librit "Vaksina". Sipas tij, debate të tilla shpesh kurrë nuk mbyllen. Ndërsa, Doktor Paul Ofit pranë spitalit të fëmijëve në Filadelfia thotë se vendimi i gjykatës përbën edhe një nxitje se tani është koha për t'u përpjekur për gjetjen e shkaktarit të vërtetë të autizmit

Sipas të dhënave nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve autizmi prek pothuajse një për qind e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara.

Disa e lidhin autizmin me moshën e nënës, të tjerët thonë se shkaktarët janë gjenetikë, ndërsa ka edhe studime që fajësojnë ndotjen e mjedisit nga toksina të ndryshme.

Deri tani për autizmin nuk ka ndonjë kurë, edhe pse ekspertët thonë se terapi të caktuara dhe programe të posaçme edukative mund të zbusin sfidat që shoqërojnë këtë sëmundje.

XS
SM
MD
LG