Lidhje

Ekspertët e KE mbyllin misionin e verifikimit të hapave të Shqipërisë për procesin e liberalizimit të vizave

  • Armand Mero

Ekspertët e Komisionit Europian të cilët mbërritën në fillim të javës në Shqipëri mbyllën dje misionin e tyre për verifikimin në terren të hapave të hedhura nga Shqipëria për plotësimin e kushteve të mbetura lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Komisioni europian propozoi në maj të këtij viti heqjen e vizave per qytetarët shqiptarë, por duke e kushtëzuar vendimin përfundimtar me përmbushjen e tre kritereve që lidhen me riintegrimin e të riatdhesuarve dhe çështjet e zbatimit të ligjit dhe efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çështja e liberalizmit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën është përfshirë në kalendarin e mbledhjes së muajit nëntor të Këshillit të ministrave të Brendshëm të vendeve të Bashkimit Europian.

Një politikë dhe strategji për të mbështetur riintegrimin e emigrantëve të kthyer; forcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efikasitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; zbatimi me efikasitet i kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të pasurive që vijnë nga krimi. Këto janë tri kushtet e mbetura plotësimi i të cilave do t’i hapte rrugë pa mëdyshje liberalizimit të vizave edhe për shqiptarët.

Autoritetet e Tiranës kanë deklaruar se i kanë përmbushur tanimë ato. Por fjalën e fundit do ta thonë ekspertët e Bashkimit Europian, të cilët mbërritën në Shqipëri në fillim të javës për të parë dhe verifikuar në terren ato cka janë realizuar. Misioni i përbërë nga ekspertë të pavarur nga shtetet anëtare përfundoi dje punen e tij. Bazuar në raportin që do të hartohet prej tyre, komisioni europian do të përgatisë vlerësimin e tij për përmbushjen e kritereve, vlerësim i cili në muajin shtator do t’i paraqitet Parlamentit Europian dhe Këshillit të Evropës, institucionet që do të marrin vendimin përfundimtar.

Nga Parlamenti Europian trysnia është e lartë që me këtë proces të veprohet me shpejtësi, madje në një projekt rezolutë të përgatitur nga raporterja për vizat, Tanja Fajon, theksohet se marrja e një vendimi pozitiv do të ishte sinjali i duhur për të rritur besimn që këto vende kanë drejt Bashkimit Europian. Por ndërsa Parlamenti Europian mund ta marrë vendimin e tij në një kohë të shpejtë, në Këshillin e ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian çështja e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen është futur në kalendarin e mbledhjes në fillim të nëntorit të ardhshëm dhe jo më parë. Një vendim që duket se mund të jetë ndikuar edhe nga zhvillimet e pritshme në Bosnje, vendi ku problematika nacionaliste është ende e thelle e ku në fillim të tetorit do të mbahen zgjedhet.

Liberalizimi i vizave është i vlefshëm për periudha afatshkurtra udhëtimi në Bashkimin Evropian deri në 90 ditë, për një periudhë gjashtë mujore. Për qëndrime më të gjata, ende duhet një vizë afatgjatë dhe kjo vizë duhet marrë nga konsullata e vendit anëtar të Bashkimit Evropian ku është destinacioni. Për më tepër liberalizimi i vizave afatshkurtra nuk aplikohet nëse qëllimi i udhëtimit është punë ose punësim. Në të tilla raste, përsëri do të kërkohet vizë dhe leje punësimi.

XS
SM
MD
LG