Lidhje

Ekspertët të shqetësuar për financimin e luftës kundër Sidës

  • Nico Colombant

Ekspertët të shqetësuar për financimin e luftës kundër Sidës

Ekspertët të shqetësuar për financimin e luftës kundër Sidës

Ekspertët dhe aktivistët e shëndetësisë në Afrikë po shprehin shqetësim rreth rënies së financimit të ndihmave në luftën kundër Sidës në Afrikë para një konference ndërkombëtare kundër Sidës këtë muaj në Vjenë. Ata thanë se po shtohet gjithashtu alarmi mbi atë që e cilësojnë diskriminim kundër grupeve të prekura në Afrikë.

Shumë vende në Afrikë përdorën Kampionatin Botëror për të rritur ndërgjegjësimin ndaj Sidës, dhe jo vetëm në vendin mikëpritës, Afrikën e Jugut.

Në Malawi, kampionati i futbollit ndihmoi për të tërhequr vëmendjen ndaj epidemisë.

Programi i Kombeve të Bashkuara për virusin HIV dhe Sidën llogarit se gati një milion njerëz nga popullata prej 14 milionë banorësh e Malawit është infektuar me virusin HIV, virusi që shkakton Sidën.

Sëmundja është shkaku kryesor i vdekjeve mes të rriturve.

Ashtu si shumë vende të tjera afrikane Malawi merr miliona dollarë çdo vit nga Shtetet e Bashkuara dhe donatorë të tjerë për testimet, këshillimet dhe trajtimet antiretrovirale.

Por financimi nuk po rritet shumë vitet e fundit dhe për disa programe po pakësohet.

Marielle Bemelmans është drejtuesja e organizatës Mjekët pa Kufi në Malawi. Ajo shpjegon arsyen përse ngjarja e futbollit u quajt Pjesa e Parë.

Me këtë ngjarje, ne jemi në gjysmën e parë të lojës, në gjysmën e parë të luftës kundër Sidës. Shumë arritje janë bërë që janë për t’u përgëzuar dhe ne jemi të gjithë të gatshëm për të vazhduar luftën. Ne nuk duhet të ndalim në mes lojën ashtu si arbirtri në Botëror nuk e ndalte ndeshjen pas gjysmës së parë.

Aktivistët në Uashington ndajnë shqetësimet e saj dhe po lobojnë për më shumë fonde nga qeveria amerikane. Presidenti i Fondacionit Shëndetësor për Sidën Michael Weinstein është i shqetësuar se financimet amerikane në luftën kundër Sidës nuk janë në nivelin e duhur.

Përbërësi magjik për ta mobiliuar botën ishte drejtimi i luftës nga Shtetet e Bashkuara. Nuk kam asnjë dyshim se në se jemi të parët të tjerët do të na ndjekin. Ne duhet të bëhemi shembull.

Weinstein ftoi Grace Akupumuzan, një nënë që jeton me Sidë në Uganda për të ndarë përvojën e saj me ligjvënësit. Akupumuza tha se gjithnjë e më shumë pacientë me virusin Hiv po dëbohen nga klinikat pasi trajtimi falas me ilaçe nuk është më i mundur.

Duhet të punohet në këtë drejtim pasi nuk është e drejtë të dëbohen ata që janë të prekur me virusin Hiv. Ata kanë nevojë për mjekim. Dhe kjo është shpresa e tyre e vetme.

Zyrtarët amerikanë thonë se janë në dijeni të situatës në Uganda dhe gjetkë, dhe po bëjnë ç’të mundin me buxhetin që kanë për të luftuar sëmundjen në mbarë botën.

Gerald LeMelle nga organizata Africa Action dhe aktivistë të tjerë në Uashington thonë se lufta kundër Sidës po përkeqësohet nga degradimi i të drejtave njerëzore ndaj grupeve të prekura në Afrikë.

Ne jemi të shqetësuar rreth vazhdimit të shkeljeve të të drejtave njerëzore, vënia në shënjestër i individëve të veçantë si punëtorët e seksit, përdoruesit e drogës dhe homoseksualët.

LeMelle thotë se diskriminimi po kontribuon në rritjen e nivelit të virusit Hiv mes këtyre grupeve.

Në Malawi, organizatorët shpresojnë që ndeshjet e futobollit të godasin steriotipet duke treguar se Sida mund të prek këdo por se me financimin e duhur ndërkombëtar, një jetë e shëndetshme është e mundur, edhe për ata që janë tani të infektuar.

XS
SM
MD
LG