Lidhje

Ekspertë dhe aktivistë mblidhen në Vjenë për konferencën e Sidës

  • Carol Pearson

Ekspertë dhe aktivistë mblidhen në Vjenë për konferencën e Sidës

Ekspertë dhe aktivistë mblidhen në Vjenë për konferencën e Sidës

Ekspertë dhe aktivistë të Sidës po mblidhen në Vjenë për konferencën e 18 ndërkombëtare për Sidën. Shkencëtarët kanë mësuar shumë rreth virusit HIV dhe Sidës që nga viti 1985 kur u mbajt konferenca e parë, por ende nuk ka një kurë shërimi dhe megjithë disa përparime, Sida vazhdon të përhapet.

Në shumë vende, të sëmurët me Sidë shmangen ashtu sikurse ata me tuberkuloz.

Shumë vetë me virusin Hiv që shkakton Sidën kanë gjithashtu tuberkuloz, një sëmundje e rrezikshme dhe që transmetohet lehtësisht.

Dr. Helen Bygrave punon në një klinikë në Lesoto.

“Nga të gjithë pacientët tanë me tuberkuloz, 80 deri në 90 përqind kanë edhe virusin Hiv”.

Të tjerë me virusin Hiv nuk deklarohen pasi sëmundja shihet me syrin moral dhe të fesë.

Suskama Ratri, aktiviste e Sidës thotë se sëmundja nuk njeh besim fetar apo moral.

“Unë përfaqësoja atë grup në vendin tim, grupin që shihej si i sigurtë pasi unë isha besnike ndaj burrit tim. Nuk kisha ndonjë lidhje me zarar. Bëja një jetë normale, megjithatë kam virusin Hiv”.

Edhe në vendet myslimane numri i njerëzve me virusin Hiv është i vogël por sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara ai po shtohet.

Raporti thotë se Sida ekziston në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut kryesisht mes përdoruesve të drogës, burrave homoseksualë dhe prostitutave.

Konferenca e Vjenës do të përqëndrohet tek e drejta e njerëzve me virusin Hiv apo Sidë.

Para se të nisej për në konferencë, Dr. Eric Goosby, koordinator i Shteteve të Bashkuara për Sidën, i tha Zërit të Amerikës se qëndrimi ndaj njerëzve të angazhuar në këtë grup duhet të ndryshojë, në mënyrë që Sida të mund të mos përhapet.

“Këta individë nuk janë të gatshëm të kërkojnë ndihmë mjeksore në kohën e duhur pas shfaqjes së virusit HIV, por tepër vonë, zakonisht kur fillojnë të kenë infeksione të tjera, si tuberkulozi”.

Ekspertët e Sidës thonë se përveç stigmës dhe diskriminimit, normat kulturore janë pengesa të mëdha për frenimin e Hivit dhe Sidës.

Këngëtarja dhe aktivistja Annie Lennox foli në fillim të vitit kur OKB-ja nisi një program për pabarazinë gjinore dhe shkeljen e të drejtave të njeriut që i vë gratë dhe vajzat në rrezik më të lartë për t’u prekur nga virusi.

“Gratë në moshën e riprodhimit janë aktualisht në rrezik më të madh për përhapjen e Sidës. Ato janë të parat që duhen ndihmuar”.

Megjithëse gratë dhe vajzat përbëjnë 50 përqind të infeksioneve në botë, gati 60 përqind e tyre jetojnë në Afrikën nënsarahirane. Në Afrikën jugore gratë e reja janë tre herë më të prekshme nga virusi Hiv sesa burrat.

Dr. Anthony fauci thotë se fuqizimi i grave është kritik për të ngadalësuar përpahjen e virusit Hiv dhe Sidës.

“Gratë në shumë nga këto vende nuk kanë të drejtën të vetëmbrohen nga infeksioni”.

Zyrtarët e shëndetësisë duan gjithashtu që përdorimi i drogave ilegale të mos jetë më krim në mënyrë që përdoruesit e drogës nëpërmjet venave të përdorin shiringa të pastra dhe të marrin ndihmë mjekësore.

Ekspertët thonë se politikat që ndëshkojnë sjelljet me rrezik të lartë nxisin përhapjen e Sidës.

Viti 2010 është afati kohor i vendosur nga udhëheqësit global që e gjithë bota të përfitojë nga programet për parandalimin e virusit Hiv, kujdesin dhe shërimin e mundshëm.

Këto objektiva nuk do të realizohen, por aktivistët e Sidës shpresojnë se me fokusin tek të drejtat e njeriut, më shumë njerëz do të marrin trajtim dhe me disponimin më të mirë të programeve në mbarë botën, sëmundja mund të kontrollohet më mirë.

XS
SM
MD
LG