Lidhje

Imigracioni në Marsejë, qyteti i dytë më i madh i Francës, një nga portet kryesore të Mesdheut


Imigracioni në Marsejë, qyteti i dytë më i madh i Francës, një nga portet kryesore të Mesdheut
Imigracioni në Marsejë, qyteti i dytë më i madh i Francës, një nga portet kryesore të Mesdheut

Franca ka një nga popullsitë më të larmishme në Evropë. Por kohët e fundit, tensionet mes grupeve të ndryshme etnike duket se janë shtuar. Masat e qeverisë për të ndaluar perçet për gratë myslimane dhe për të përzënë qindra romë, kanë përforcuar idenë se Franca po lëviz djathtas. Marseja, qyteti i dytë më i madh i Francës dhe një nga portet kryesore të Mesdheut, ka një histori të gjatë imigracioni me njerëz nga e gjithë bota. Por siç zbuloi korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henri Rixhuell, edhe atje ka pasur shenja tensionesh.

Pjesëmarrësit në një ceremoni shtetësie, ishin me origjinë nga 28 vende. Himni dhe përshëndetjet janë hapi i fundit në rrugën e gjatë drejt shtetësisë. Tani ata janë qytetarë francezë.

Kryetari i Bashkisë së Marsejës, e shënoi këtë rast me një përshëndetje dhe një paralajmërim.

“Si qytetarë francezë iu fitoni të drejta, por gjithashtu merrni përsipër përgjegjësi. Dhe përgjegjësitë janë respekti për rregullat dhe ligjet e republikës franceze”.

Zëri i Amerikës pyeti pjesëmarrësit më të rinj në moshë se çfarë ishte faktori kryesor për t’u bërë qytetar francez.

“Gjuha është më e rëndësishmja. Po ashtu një mendje e hapur. Nuk duhet të mbetesh i mbërthyer në idetë e tua, duhet të mësosh dhe të zbulosh”, tha njeri prej tyre.

Për shumë njerëz në ish-kolonitë franceze të Afrikës, veçanërisht Marok dhe Algjeri, Marseja ishte portë daljeje dhe popullsia e qytetit është një mozaik etnik. Disa edhe e kanë përshëndetur Marsejën si model të integrimit. Rreth 200 mijë banorë janë myslimanë, një e katërta e popullsisë.

Por ashtu si edhe pjesa tjetër e Francës, partitë me platformë kundër emigracionit janë konsoliduar. Analistët thonë se politikat e qeverisë i kanë ushqyer ndjenjat kundër imigracionit. Në korrik, Franca u bë një nga vendet e para evropiane që ndalonte mbulimin e plotë në veshjen e grave myslimane.

Lëvizja e zemëroi popullsinë myslimane të Francës, më e madhja e në Evropë. Në xhaminë më të madhe të Marsejës, imami Harun Derbal vë në pikëpyetje logjikën që solli ligjin.

“Myslimanët janë plotësisht të integruar. Ata kanë qenë këtu prej shekujsh. Sigurisht që myslimanët janë në shënjestër të këtij ligji. Pse duhej bërë kjo, për 200 njerëz në Francë që mbulohen komplet?”

Përveç kësaj, një projekt për të ndërtuar një xhami madhështore në Marsejë, tashmë ka ngecur.

“Është e vërtetë se një pjesë e opozitës politike nuk e do këtë xhami. Kur them e djathta e skajshme, e kisha fjalën për Frontin Kombëtar”.

Fronti Kombëtar ishte në krye të fushatës kundër xhamisë. Në zgjedhjet rajonale në mars, partia e rriti mbështetjen në 20 për qind me një fushatë të quajtur “Jo Islamizmit”. Stefan Ravier është përfaqësues i Frontit në këshillin bashkiak të Marsejës.

“Integrimi ekziston në Francë, por i vetmi integrim është ai i popullit francez që i duhet të integrohet me të huajt. Në Marsejë dhe të gjitha qytetet e mëdha në Francë, ndjesia e fortë është se janë francezët që janë të detyruar të mësojnë kulturën dhe traditat e grupeve të reja që arrijnë në dyert e vendit të tyre”.

Debati për imigracionin në Francë përfshin edhe romët, ose ciganët. Në gusht, qeveria miratoi dëbimin e qindra romëve në Rumani dhe Bullgari, duke shkaktuar indinjatën e grupeve të të drejtave të njeriut dhe Bashkimit Evropian. Presidenti Nikola Sarkozi e ka mbrojtur këtë lëvizje, si një sërë masash kundër krimit. Ai mohon ta ketë vënë në shënjestër një grup të veçantë etnik.

Thierri Nuar, një korrespondent politik ne gazetën rajonale “La Provence”, thotë se debati mbi imigracionin i ka rrënjët tek ekonomia.

“Gjatë 30 vjetëve të fundit, Franca ka funksionuar sipas një modeli inegrimi, por një model që varet nga rritja ekonomike”.

Si në shumë vende evropiane, debati i Francës për imigracionin është bërë edhe më i bujshëm, gjatë krizës. Në një periudhë pasigurie, Franca po debaton jo vetëm për politikën e saj, por edhe identitetin.

XS
SM
MD
LG