Lidhje

Tmerret e konflikteve në imazhe tronditëse të ekspozitës Zona e Luftës

  • Amra Aliresjovic
  • Uashington

Tmerret e konflikteve në imazhe tronditëse të ekspozitës Zona e Luftës

Tmerret e konflikteve në imazhe tronditëse të ekspozitës Zona e Luftës

50 fotografi që mbulojnë 25 vjet konflikt janë prezantuar për Uashingtonin në një ekspozitë të titulluar Zona e Luftës. Këto imazhe të fotografit italian Enriko Dagnino tregojnë sa mizore është lufta. Fotoreporteri Dagnino ka bërë fotografi në konflikte në Evropën Lindore, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi.

Zona e Luftës tregon realitetin e luftës, dhunën, mizorinë, vuajtjet, të gjitha përmes lenteve të fotografit Enriko Dagnino. I lindur në Itali, fotografi i cili tani jeton në Paris ka vizituar zona konflikti në pika të ndryshme të globit: Bosnje, Kroaci, Çeçeni, Kosovë, Afganistan, Ruandë, Kenia dhe Somali. Ai është arrestuar, është rrahur dhe kërcënuar disa herë gjatë këtyre udhëtimeve. Ai ishte në Kenia nga ku dha intervistë për Zërin e Amerikës, para se të nisej për Sudan:

“Në momentin kur bëj fotografi është sikur nuk jam prezent aty. Por gradualisht fillon t’i përjetosh më pas këto momente”.

Historitë e luftës janë edhe histori mbijetese. Një ndër konfliktet më mizore në dekadat e fundit është ai i Çeçenisë në vitin 1995, i cili sipas statistikave jozyrtare la të vrarë 300 mijë vetë. Ende ka plot të zhdukur. Fatima Tlisova u arrestua 7 herë për punën si reportere:

“Kur raporton nga zona lufte, sheh kudo plagë të hapura. Në dimër sheh kufoma të ngrira që i hanë qentë rrugëve. Në verë ndjen erën e dekompozimit që të mbush mushkëritë”.

“Gazetarët bëjnë detyrën e tyre dhe paguajnë çmimin”.

Bashkëshorti i Tsilovas është një ndër të zhdukurit dhe nuk u gjet kurrë.

Mbi 100 mijë vetë u vranë në Bosnje gjatë 1992-1995. Dy presje 2 milionë vetë u zhvendosën dhe mbi një milion u shndërruan në refugjatë. Gjatë rrethimit të Sarajevës, 1,600 fëmijë u vranë. Mlladen Boshnjak ende e kujton periudhën e rrethimit në Sarajevë:

“Njerëzit gjenin ç’të mundnin: rrota nga karrocat e fëmijëve, nga biçikleta apo triçikle. Mundoheshin me të gjitha mjetet të ndërtonin diçka që t’i ndihmonte të sillnin në shtëpi ujë për të gatuar sado pak, për larje rrobash e higjenë personale”.

Fotografi thotë se brutaliteti i Zheljko Raznjatoviç, udhëheqës i grupeve paraushtarake serbe, ishte thuajse i papërballueshëm për të si foto-reporter:

“Në fillim të rrethimit të Sarajevës pashë një ushtar që vraponte mbi urë. Ishte i vetmi moment kur pata disi frikë të shtypja butonin e aparatit fotografik. Por e shtypa prandaj më arrestuan, ma konfiskuan filmin dhe më rrahën”.

“Duhet të kishe shumë fuqi dhe guxim të dilje në rrugë e të mos shihje rrotull, pasi s’kishte ansjë ditë kur të mos shihje kufomën e dikujt në rrugë”.

Momin Wahedi i pa me sytë e tij si pushtimin rus ashtu edhe atë amerikan të Afganistanit. Gjatë pushtimit rus ai ishte 8 vjeç:

“Pashë plot të vrarë të mbetur në tokë, si kafshët. I ndihmuam ata që kishin mbetur nën rrënojat e shtëpive që ishin shembur. Zbuluam plot trupa. Ishte skena më e tmerrshme që kam parë në jetë”.

Konflikti i ashpër në Republikën Demokratike të Kongos në vitin 2000 ishte lufta më e gjerë ndërshtetërore në historinë moderne të Afrikës. Paul Ndiho vinte veten në rrezik për të raportuar:

“Kurrë nuk kisha qenë në një situatë të tillë, ku të shihja kaq shumë njerëz të vrarë brenda një nate. Njerëzit ishin masakruar në masë të madhe, veçanërisht gratë dhe fëmijët. Pashë plot varre masive, trupa që nxirreshin nga shtëpitë”.

Fotografi francez Zhan Lui Atlan është pronar i galerisë Zona 2.8, ku është hapur ekspozita Zona e Luftës. Ai ka mbuluar konfliktet në Afganistan, Iran, Poloni, Lindje të Mesme dhe ka raportuar nga Shtëpia e Bardhë për 10 vjet, gjatë administratave të Reganit, Bushit dhe Klintonit.

“Këto fotografi nuk i sheh në revista. Mund t’i shohësh ndonjëherë. Vështirësia e fotografisë është të pasqyrosh të gjithë historinë me një fotografi të vetme”.

Enriko Dagnino thotë se imazhet që janë ende të freskëta në kujtesë janë ato të luftës në Afrikë dhe Bosnje, veçanërisht në Sarajevë. Fotografitë e tij mund të shihen si dilema për sjelljen njerëzore:

“Nuk i besoj më njerëzimit si më parë”.

“Ende i dëgjoj këta zëra në kokë. Nganjëherë i shoh në ëndërr”.

“Në jetën tjetër dua të kthehem përsëri si foto-reporter, pa diskutim”.

Ekspozita Zona e Luftës do të vazhdojë deri në fund të vitit në galerinë Zona 2.8.

XS
SM
MD
LG