Lidhje

Pranë përfundimit memoriali kushtuar Martin Luther Kingut


Pranë përfundimit memoriali kushtuar Martin Luther Kingut
Pranë përfundimit memoriali kushtuar Martin Luther Kingut

Pas planifikimit për 20 vjet me radhë, në Washington është duke përfunduar tashmë memoriali kushtuar udhëheqësit të të drejtave civile, Martin Luther King, i cili u vra në vitin 1968. Memoriali do të përfshijë një statujë të madhe të Martin Luter Kingut, një mur me citime nga shkrimet dhe fjalimet e tij, si dhe një bibliotekë.

Udhëheqësi i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara Martin Luter King dha ndihmesën e tij për të ndryshuar drejtimin e historisë në SHBA. Tani një memorial që po ngrihet në Parkun Kombëtar të Washingtonit do ta nderojë atë për kontributin e dhënë. Memoriali do të inaugurohet më 28 gusht 2011, dita kur Martin Luter King mbajti në vitin 1963, fjalimin e famshëm “I have a dream”.

Heri Xhonson president i Fondacionit të Memorialit të Martin Luther Kingut.

“Ne jemi të lumtur, kur shohim që kjo punë është duke marrë fund. Pikërisht këtu në Parkun Kombëtar të Washingtonit së shpejti do kemi Memorialin e Martin Luter Kingut”.

Martin Luter King ishte në radhët e para të lëvizjes së të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara të viteve ’60. Ai udhëhoqi marshimet dhe protestat në jugun amerikan, që ishte ende nën segregacionin racial, predikoi mjetet e padhunshme përballë dhunës dhe e futën në burg disa herë për veprimet e tij.

Përpjekjet e zotit King ndihmuan në miratimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964. Ligji ndalon diskriminimin bazuar tek seksi, raca, feja, apo origjina kombëtare.

Por Martin Luter Kingu u vra më 4 prill të vitit 1968 në Memphis të shtetit Tennessee.

Memoriali do të shtrihet në një zonë prej një hektar e gjysëm, jo larg nga Monumenti i Washingtonit dhe memorialet e presidentëve të tjerë amerikanë, Jefersonit dhe Linkolnit.

Pika qendrore e memorialit është një strukturë graniti që peshon 1 mijë e 600 metra tonë, e quajtur “Malet e Dëshpërimit”, që e merr temën nga fjalimi i famshëm i Martin Luterkingut “ I have a dream”. Në qendër është gdhendur një skulpturë 10 metra e lartë e Kingut.

Skulptura prej graniti është punim i skulptorit kinez Lei Yixin. Presidenti i Muzeut, Harry Johnson shpjegon përse u zgjodh një artist kinez për të krijuar statujën.

“Ne e zgjodhëm atë skulptor sepse besojmë se mesazhi i Doktor Kingut është i vërtetë, se një njeri nuk duhet gjykuar nga ngjyra e lëkurës, por nga karakteri i tij. Pra në këtë rast, kemi të bëjmë me karakterin artistik”.

Zoti Johnson thotë se Memoriali i zotit King do të jetë si një deklaratë e fuqishme lidhur me diversitetin që ekziston në SHBA dhe që tregon se si ka avancuar respekti për të drejtat civile që nga themelimi i shtetit amerikan.

“Nëse Amerika ka aq paragjykime siç thuhej, a do të vihej një afrikano-amerikan në mesin e Parkut Kombëtar? Përgjigja do të ishte: Jo. Ata po thonë tani se ne kemi mjaft diversitetit, dhe kur të shohin Parkun me memorialin, do të kuptojnë pikërisht këtë. Unë mendoj se vizitorët nga e gjithë bota do të thonë se ka ardhur koha që të gjithë ta kuptojnë se kush ishte me të vërtetë doktor Kingu dhe çdo të thotë ai jo vetëm për Amerikën, por për të gjithë botën”.

Zoti Xhonson thotë se ka në plan që për inaugurimin e memorialit të thërresë për të mbajtur fjalimin e rastit Barak Obamën, afrikano-amerikanin e parë që u zgjodh president.

XS
SM
MD
LG