Lidhje

SHBA: 25 minatorë humbin jetën nga shpërthimi në një minierë


Zyrtarët në Virxhinian Perëndimore thonë se 25 minatorë humbën jetën dhe 4 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një shpërthimi në një minierë qymyrguri.

Zyrtari i sigurisë së minierave, Kevin Strikling, tha sot në mëngjes se punonjësit e shpëtimit i kishin ndalur operacionet përkohësisht për shkak të përqendrimit të madh të gazeve të rrezikshme. Ata kanë në plan të shpojnë vrima për ajrosje në zonën e ngjarjes në mënyrë që ekipet e kërkimit të rifillojnë punën.

Zoti Striklin tha se ka pak shpresa për gjetjen e personave të mbetur gjallë. Ai tha se sasia e metanit në minierë tregon se ka mundësi që aty të ketë patur një shpërthim të dytë.

Shumica e minatorëve u gjetën të vdekur më tepër se dy kilometra nën sipërfaqe. Zoti Striklin tha se ata nuk kishin mundur të arrijnë në ndonjërën nga dhomat e nëndheshme hermetike të sigurisë, të cilat kanë ushqime, ujë dhe oksigjen për katër ditë.

Guvernatori i shtetit të Virxhinas Perëndimore, Xhoe Mançin, tha se tre nga viktimat ishin pjestarë të së njëjtës familje.

XS
SM
MD
LG