Lidhje

Strategjia e re e Partneritetit të Shqipërisë me Bankën Botërore


Bordi i Drejtorëve i Grupit të Bankës Botërore diskutoi dje Strategjinë e re të Partneritetit të Vendit për Shqipërinë, e cila përbën platformën e asistencës për Shqipërinë për vitet 2011 – 2014. Sipas zyrtarëve të Bankës Botërore, Strategjia e re është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillimin dhe Integrimin dhe bazohet në një dialog gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm me qeverinë e Shqipërisë dhe në këshillimet me të gjithë partnerët e zhvillimit. Strategjia e re e përbashkët e Bankës Botërore dhe Korporatës Ndërkombëtare Financiare parashikon financime deri në 275 milionë dollarë nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe nga 120 në 150 milionë dollarë nga Korporata Financiare për periudhën katër vjeçare në fjalë.

“Shqipëria është një histori zhvillimi të suksesshëm në shumë drejtime, pasi ka bërë hapa të lavdërueshëm përpara në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik gjatë dekadës së fundit”, tha Jane Armitage, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Vendin dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore. Zonja Armitage theksoi se “Strategjia e re e Partneritetit synon të mbështesë intensifikimin e rritmit të rritjes ekonomike të Shqipërisë përmes shtimit të konkurrencës si rezultat i një sistemi arsimor dhe shëndetësor më të mirë, si dhe përmes forcimit të rrjetit të mbrojtjes sociale. Veç kësaj, Strategjia do ta ndihmojë Shqipërinë të përballojë sfidat e reja të ndryshimeve klimatike, duke mbrojtur dhe menaxhuar më mirë burimet e ujit dhe duke rritur shkallën e përgatitjes në rast fatkeqësish”.

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, vënë në dukje zyrtarët e Bankës Botërore, Shqipëria ka qënë një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë, mesatarisht 6 për qind në vit, e shoqëruar me ulje të shpejtë të varfërisë. Pavarësisht nga kriza globale financiare dhe ekonomike, Shqipëria është ndër vendet e pakta në Evropë që ruajti nivele pozitive të rritjes dhe stabilitet financiar në vitin 2009.

XS
SM
MD
LG