Lidhje

Spanja për herë të parë fiton kupën e kampionatit botëror të futbollit

  • Zëri Amerikës

Spanja fitoi për herë të parë kupën e kampionatit ndërkombëtar të futbollit, duke mundur Hollandën me rezultatin 1-0 në Johanesburg të Afrikës së Jugut. Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, mori një pasë nga Cesc Fabregas dhe shënoi në minutën e 116 të lojës, duke siguruar kështu fitoren për Spanjën.

Kjo ishte hera e parë që një ekip evropian fiton kupën e Botërorit jashtë Evropës dhe hera e tretë që Hollanda humbet në finale. Të dy ekipet erdhën në këtë ndeshje me aspiratat për të fituar për herë të parë kupën e artë.

Ekipi hollandez u përpoq të ngadalësonte lojën sulmuese të Spanjës me një lojë të rëndë. Arbitri anglez Hauard Ueb, një ish polic, u dha kartonin e verdhë tetë lojtarëve të Hollandës dhe nxorri nga loja me karton të kuq mbrojtësin hollandez Xhon Heitinga. Por edhe Spanja mori pesë kartonë të verdhë. Gjithë këto ndëshkime e bënë ndeshjen të tillë që të përshkruhej si loja “më e ndyrë” në historinë e finaleve të Botërorit.

Spanja është ekipi i tretë, pas Gjermanisë dhe Francës, që mban titullin e kampionit botëror dhe evropian në të njejtën kohë. Me fitoren në finalen e Botërorit 2010, Spanja ndërpreu edhe vargun e 25 fitoreve të njëpasnjëshme të Hollandës. Trajneri hollandez Bert Van Marvijk e pranoi me dinjitet humbjen.

“Ata e meritonin të fitonin, ata ishin më të mirë. Për mendimin tim, Spanja ka qënë ekipi më i mirë në botë gjatë disa viteve të fundit. Më pëlqen loja e tyre dhe është një sfidë e madhe të luash kundër Spanjës dhe ta mundësh”.

Më shumë se 84 mijë spektatorë ndoqën ndeshjen finale të Botërorit 2010 në stadiumin Soccer City të Johanesburgut. Në total, më shumë se 3 milionë tifozë ndoqën ndeshjet gjatë një muaji të kampionatit, duke e bërë këtë botërorin e tretë më të ndjekur në histori, pas Gjermanisë në vitin 2006 dhe Shteteve të Bashkuara që mban rekordin për kampionatin e vitit 1994.

Para fillimit të ndeshjes finale në stadium u mbajt ceremonia e mbylljes së kampionatit me fishekzjarre, figura me rreze lazer, elefantë dhe interpretime nga këngëtarët dhe kërcimtarët më të mirë të Afrikës. Ish presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, i cili do të festojë 92-vjetorin e ditëlindjes nga fundi i këtij muaji, u ndal për disa minuta në stadium pas ceremonisë prë të përshëndetur turmën në i hipur një makinë të hapur.

Në arritjet e tjera të botërorit, ylli gjerman Tomas Myller fitoi dy nga çmimet më prestigjioze të kampionatit. Sulmuesi 20 vjeçar fitoi trofenë “Këpuca e artë” si golshënuesi më i mirë me 5 gola dhe 3 pase që përfundun në gola. Myller u zgjodh edhe “Lojtari më i mirë i ri” i kampionatit.

Diego Forlan i Uruguait, i cili shënoi po ashtu 5 gola, fitoi “Topin e artë” si lojtari më mirë i Botërorit 2010. Iker Kasijas i Spanjës fitoi “Dorezën e artë” si portieri më i mirë i kampionatit.

Në Spanjë fishekzjarret ndriçuan qiellin ndërkohë që fillian spontanisht festimet në gjithë vendin. Rreth 300 mijë shpanjollë, shumica të veshur me ngjyrat e flamurit të tyre kishin mbushur sheshin “Paseo de Recoletos” në qendër të Madridit për të parë në ekrane të mëdha finalen e Botërorit 2010.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG