Lidhje

Shtimi i popullatës nëpër botë po ngadalësohet, por jo në të gjitha vendet

  • Rozanë Skërbëll

Shtimi i popullatës nëpër botë po ngadalësohet, por jo në të gjitha vendet

Shtimi i popullatës nëpër botë po ngadalësohet, por jo në të gjitha vendet

Popullsia e botës nuk po rritet aq shpejt sikurse në shekullin e kaluar, por përmirësimi i kushteve shëndetësore dhe lindshmëria vazhdimisht e lartë në shumë vende në zhvillim po i shtojnë popullsisë së botës nga 80 milion njerëz çdo vit. Prirjet demografike botërore janë paraqitur në edicionin e ri të një raporti të përvitshëm mbi popullsinë botërore, që u botua këtë javë. Më 2010, popullsia botërore arriti në 6,9 miliard dhe pothuajse e tërë rritja u shënua në vendet në zhvillim.

“Ajo pjesë e botës po përballet me probleme dhe vazhdon të përballet me problemet e shkallës së lartë të fertilitetit dhe pasojat që do të rrjedhin nga kjo për brezat e ardhshëm”.

Ky është Bill Butz, kryetar i qendrës studimore në Uashington që nxjerr çdo vit Tabelën e të Dhënave të Popullsisë Botërore. Sipas raportit të sivjetshëm, 20 nga 80 milion banorët që i shtohen popullsisë botërore çdo vit janë nga më të varfrat vende në zhvillim. Carl Haub, demograf dhe hartuesi kryesor i Tabelës thotë se nga viti 2050, me rritjen e popullsisë vetëm në Afrikë do t’i jenë shtuar popullsisë botërore 1 miliard banorë.

“Nga kjo duket sikur lindshmëria në Afrikë është duke rënë dhe se do të vazhdojë kështu. Por tani po bëhet gjithherë e më e qartë se shkalla e lindshmërisë atje nuk po bie”.

Demografët parashikojnë se lindshmëria në vendet në zhvillim do të bierë pas një kohe, duke ndjekur prirjet e vendeve të industrializuara. Megjithatë, siç njofton Tabela e të Dhënave e vitit 2010, Azia pritet t’i shtojë botës shumicën e banorëve, rreth 1,3 miliard nga viti 2050. Kjo mund të bëhet barrë e rëndë për qeveritë për të përmbushur nevojat shëndetësore, arsimore dhe ekonomike të popullsive të mëdha dhe me moshë të re. Në botën e zhvilluar, shifrat paraqesin rrethana tjera. Lindshmëria, që për kohë të gjatë ka qenë e ulët, ka bërë që të ketë më pak qytetarë me moshë pune që mund të mbështesin popullatën me më shumë të moshuar.

Carl Haub merr një shembull interesant, duke krahasuar Etiopinë me Gjermaninë. Të dyja kanë popullsi gati të njëjtë, por që ndryshojnë në aspekte të tjera. Popullsia etiopiane pritet të dyfishohet nga 85 milion në 174 milion banorë deri në vitin 2050. Popullsia në Gjermani do të bierë nga 82 në 72 milion gjatë të njëjtës periudhë. Zoti Haub shpjegon se për shkak të lindshmërisë së ulët, Gjermania përballet me probleme që shkaktohet nga pakësimi i fuqisë punëtore.

“Mund të shihni se në Gjermani tani ka vetëm tre njerëz në moshë pune që paguajnë kontribute për një të pensionuar. Prandaj, ata kanë një krizë në rritje të sistemit të pensioneve dhe atij shëndetësor dhe me siguri e dinë këtë”.

Sipas raportit, Evropa është rajoni i parë në botë që do të përjetojë rënie në fertilitet. Tani për tani, ka rreth katër njerëz me moshë pune që punojnë për çdo njeri mbi 65 vjeç. Ky numër pritet të bierë në 2 me 1 deri në vitin 2050. Japonia dhe Koreja e Jugut po përballen me të njëjtat probleme, thotë James Gribble, nënkryetar i programit ndërkombëtar të Zyrës së Referimeve për Popullsinë.

“Do të ketë implikime për pensionet dhe shëndetësinë për të moshuarit dhe nevojën për të pasur numër të mjaftueshëm të fëmijëve që do të bëhen pjesë e fuqisë punëtore kur të rriten”.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i qytetarëve të moshës 65 e lart pritet të rritet nga 40 milion në 89 milion në vitin 2050. Popullsia e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara do të rritet nga 310 milion që është sot në 420 milion, në varësi të prirjeve të imigracionit, thotë Linda Jacobsen, nënkryetare e programit për Zyrën e Referimeve për Popullsinë.

“Imigrantët mund të ndihmojnë, për shembull, në ndalimin e rënies së raportit të popullatës së moshuar ose mund të ndihmojnë në rritjen e popullsisë në moshë pune dhe në parandalimin e dështimit të sigurimit social. Nuk e di nëse mund të sugjeroj se kjo është zgjidhja e problemit. Nuk është zgjidhja, por natyrisht që mund të ndihmojë që popullsia e Amerikës të mos duket si ajo e Japonisë ose e disa vendeve të Evropës Perëndimore”.

Edicioni i vitit 2010 i Tabelës së të Dhënave të Popullsisë Botërore paraqet shënime të hollësishme rreth më se 200 vendeve të botës. Mbështetet në burime nga vendet përkatëse, regjistrime dhe studime demografike nga agjenci shtetërore dhe ndërkombëtare. Kryetari i Zyrës së Referimeve, Bill Butz, shpreson që gjetjet e këtij studimi t’i ofrojnë publikut dhe politikanëve një pasqyrë të qartë të sfidave që paraqet rritja e popullsisë për shëndetin, ekonominë dhe mjedisin botëror.

XS
SM
MD
LG