Lidhje

Wyclef Jean me këngën "The Day After"


Wyclef Jean me këngën "The Day After"
Wyclef Jean me këngën "The Day After"

Të hënën e kaluar u mbushën 6 muaj nga dita kur tërmeti shaktërrimtar goditi Haitin, duke vrarë mbi 200 mijë njerëz, duke lënë mbi një milion të pastrehë dhe duke rrënuar edhe më shumë ekonominë tepër në vështirësi të vendit. Muzikanti Wyclef Jean, fitues i çmimit Grammy, ambasador i vullnetit të mirë dhe i ndihmave humanitare për Haitin po nxjerr në këtë 6-mujor këngën e re të titulluar “The Day After”. Ai thotë se kënga bën thirrje për veprim, ndërsa kushtet humanitare dhe ekonomike të Haitit po përkeqësohen. Faiza Elmasry e Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi rreth këngës së Jeanit dhe planeve të tij për t’i ndihmuar haitianët që të rindërtojnë vendin e tyre të shkatërruar.

“Nuk mendoj se ai kishte për qëllim ta shkruante këtë këngë. Kënga sikur u shkrua vetë”.

Sam Jean është vëllai i muzikantit. Ai është edhe zëdhënës për organizatën jo-fitimprurëse Yele Haiti – të cilën Wyclef Jean e themeloi 5 vjet më parë. Ai thotë se i vëllai dhe anëtarë të tjerë të organizatës së tij bamirëse shkuan në Porto Princ për të ofruar ndihmë vetëm disa orë pas tërmetit të janarit. Kjo, shton ai, u bë frymëzim për këngën “The Day After”.

“Kënga sjell hollësi nga përvoja e tij në kërkim të të dashurve që ishin vrarë, rrënojat që nuk janë pastruar ende dhe shkatërrimi i madh. Ai flet për rrugët e mbuluara nga kufomat, jetimët që bredhin rrugëve, një shok të vetin – madje flet sesi mbante në duar vajzën e një shoku, i cili kishte humbur jetën nga tërmeti. Të gjitha këto përvoja bënë që kjo këngë të shkruhet vetë”.

“The Day After” është kënga e parë e albumit të ardhshëm të artistit Wyclef Jean, me titull Përvoja Haitiane. Për më tepër, thotë Sam Jean, vëllai i tij do që përmes muzikës të tërheqë vëmendjen e botës rreth gjendjes në Haiti.

“Gjendja është shumë keq dhe po përkeqësohet. Vëllai im po kërkon që Komisioni për Rimëkëmbjen e Haitit të lejojë përdorimi i një fondi donacionesh prej 150 milion dollarëve për të zgjidhur disa çështje të sigurisë në Haiti. Ai po kërkon gjithshtu që një shumë tjetër prej 150 milion dollarësh të vihet në dispozicion për largimin e rrënojave. Ndërtimet nuk janë të mundshme; rindërtimi nuk mund të kryhet para se Porto Princ të jetë pastruar nga mbeturinat dhe rrënimit. Gjithashtu, bashkësia ndërkombëtare ka premtuar miliona dollarë ndihmë dhe Wyclef do të dëshironte që OKB-ja, Komisioni për Rimëkëmbjen e Haitit dhe ish-presidentët Bush e Clinton të përkushtohen për grumbullimin e fondeve që janë premtuar për Haitin”.

Ndërsa Sam Jean fliste nga Kalifornia me Zërin e Amerikës, vëllai i tij ishte në Porto Princ, ku vazhdon të mbikëqyrë zbatimin e programeve të ndihmës emergjente të organizatës Yele Haiti.

“Në këtë aspekt, ne kemi krijuar Korpusin Yele, i cili punëson çdo ditë 1 mijë vetë, në kuadër të organizatës Yele Haiti. Ata janë të angazhuar në komunitetin e Porto Princit dhe në lagjet ku banojnë. Ata ndihmojnë në pastrimin e mbeturinave të rrënimit dhe çfarëdo që u duhet autoriteteve. Gjithashtu, shpërndajnë edhe ndihma”.

Në planin afatgjatë, thotë ai, organizata Yele Haiti është e përqendruar në ndërtimin e një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të begatë për Haitin.

“Ne duam të zgjidhim çështje që kanë të bëjnë me objektivat afat gjatë të rindërtimit të infrastrukturës së vendit, duke krijuar vende pune, duke rimëkëmbur sistemin arsimor, duke ofruar trajnim profesional dhe duke ndihmuar në ndërtimin e një komuniteti të qëndrueshëm”.

Këto qëllime Wyclef Jean shpreson t’i bëjë realitet përmes punës së tij në Haiti dhe natyrisht përmes muzikës.

XS
SM
MD
LG