Lidhje

Jellouston, parku i parë kombëtar i Shteteve të Bashkuara

  • Scenic America

Jellouston, parku i parë kombëtar i Shteteve të Bashkuara

Jellouston, parku i parë kombëtar i Shteteve të Bashkuara

Jellouston (Yellowstone) është parku i parë kombëtar i Shteteve të Bashkuara, i shpallur në vitin 1872. Emri i parkut vjen nga Lumi Jellouston që kalon përmes tij. Nuk dihet me saktësi nëse emri u referohet gurrëve të verdhë sulfurorë nën ujëvarën e Kanionit të Madh që derdhet në Lumin Jellouston, apo nga bankinat e tij të rërës.

Jellouston është parku më tërheqës në Amerikë, i vizituar nga miliona turistë në vit. Parku shtrihet në tri shtete, Uajoming, Montana dhe Ajdëho. Me një hapësirë tejet të madhe dhe me një florë dhe faunë jashtëzakonisht të pasur, do të duheshin disa vizita për të shkelur një pjesë të madhe të tij. Edhe në ditit më të ftohta të dimrit, një zonë e Maleve Shkëmbore zjen, një pamje rrënqethëse kjo e maleve që lëshojnë avull. Shatërvanë uji të nxehtë shpërthejnë pa paralajmërim dhe toka përreth tyre kthehet në një baltovinë të nxehtë. Kjo përzjerrje balte, uji dhe avulli e bën çdo eksplorues të thotë se është pranë Ferrit të Dantes.

Por parku kombëtar Jelloustone, me një shtrirje prej më shumë se 800 mijë hektarësh në tri shtete, është më e përshtatshme të quhet parajsë e natyrës. Ky park ka një vend të posaçëm në panteonin amerikan të mrekullive të natyrës. Është parku i parë kombëtar i vendit, i shpalluar me një akt të Kongresit në vitin 1872.

Korja e pjesës kontinentale të planetit tonë është zakonisht nga 20 në 50 kilometra e trashtë deri atje ku fillojnë gurët e shkrirë. Por në Jelloustone, korja e tokës është vetëm pak më tepër se 3 kilometra. Magma e bardhë e përvëluar pranë kores, nxeh ujrat nëntokësore që zjejnë nën Jelloustone e që shpërthejnë në sipërfaqe në forma nga më mahnitëset.

Secili nga 200 gejzerët e Jelloustonit ka një karakter të veçantë. Disa shpërthejnë vazhdimisht, disa shpërthejnë një herë në disa muaj. Shkëmbi i Vjetër i Besimit (Old Faithful) tërheq numrin më të madh të vizitorëve me gjëmimin e tij tejet të zhurmshëm. Shpërthimet e tij janë të çrregullta, nga një herë në gjysmë ore deri një herë në dy orë.

Nëse toka, uji dhe nxehtësia janë forcat lëvizëse të Jelloustonit, atyre u shtohet edhe një element tjetër që ka ndikuar në formimin e relievit të parkut, akulli. Katër migracione të mëdha glaciale kanë kaluar përmes parkut gjatë kohërave, duke lënë thepa shkëmbore dhe lëndina që eventualisht i kanë hapur rrugën faunës së pasur dhe tejet interesante të Jelloustonit.

Por nëse epoka më e fundit e akullit i hapi rrugën faunës dramatike të Jelloustonit, një tjetër forcë e natyrës ka manifestuar karakterin e saj kataklizmit, zjarri. Në vitin 1988, zjarret masive të pyjeve rafshuan rreth 400 mijë hektarë drurë të parkut. Fillimisht parashikimet ishin pesimiste. A do të mbijetonin kafshët pas shkatërimit të ekosistemit të tyre? A do të shkatërrohej përgjithmonë diversiteti i parkut? Megjithëse rezultatet e atyre zjarreve nuk janë përcaktuar përfundimisht edhe sot, procesi i rigjallërimit ka qënë mëse spektakolar. Karakteristikat natyrale të pishave për t’i rrezistuar zjarrit kanë qënë faktorë të rimbirjes së tyre. Bari i gjelbër po çel me shpejtësi dhe fauna e parkut duket se është e shëndetëshme dhe në shtim.

Jelloustoni mbetet një florë dhe faunë vitale, përherë në evoluim, ku toka është e re dhe në aktivitet. Madje, ato forca të rrepta të natyrës, uji, akulli dhe zjarri, vazhdojnë ciklin e tyre të përjetshëm të krijimit, shkatërrimit dhe rilindjes.

Të shtunën e ardhëshme në serinë tonë “Parqet kombëtare të Amerikës” do t’ju sjellim pamje nga parku kombëtar Lassen Volcanic në Kaliforni. Pamja më dominuse e parkut është maja Lassen, krateri më i madh vullkanik në botë dhe vullkani i skajit më jugor të vargmalit të Kaskadave. Serinë "Parqet Kombëtare të Amerikës" mund ta gjeni edhe në YouTube.com/zeriamerikes.

XS
SM
MD
LG