Lidhje

Alban Muja prezanton punimet në Nju Jork

  • Ilir Ikonomi

Një artist nga Kosova beson se arti mund të bëjë shumë për njohjen mes popujve dhe shoqërive. Alban Muja shfaqi në Nju Jork punimet e tij përpara një audience të përzierë, nën kujdesin e Institutit Shqiptar, një organizatë jofitimprurëse.

"The Players", një nga klubet sociale prestigjoze të Nju Jorkut, funksionon si i tillë që nga viti 1888. Në këtë vilë, ku njerëzit bisedojnë për letërsinë, pikturën dhe muzikën, sonte është radha e një shqiptari nga Kosova për të paraqitur punimet e tij.

Alban Muja është artist pamor dhe vjen nga Prishtina:

“Punimet e mia kryesisht përfshijnë një grup mediumesh të ndryshme, nga vizatimi e piktura e deri te videoja dhe filmi.”

“Kosova është e vogël por besoj se ka artistë që kanë bërë punë të mirë. E dimë që Amerika është shumë e madhe dhe ka shumë artisë, por besoj se disa artistë kanë patur një prani jo vetëm në Evropë por edhe në Amerikë.”

Albani paraqiti krijimtarinë e tij të 10 viteve të fundit. Ai beson se kjo është një mundësi për ta njohur publikun amerikan me artin e Kosovës në tërësi.

Shumica e punimeve të Albanit kanë temë nga Kosova. Ai provon të trajtojë tranzicionin politik në Kosovë, por në formën e artit dhe i papenguar nga ideologjia.

Në bashkëbisedim me Albanin, Collin Herder, këshilltar dhe kritik artistik, interesohet të dijë se çfarë ndikimi mund të kenë vepra të tilla në shoqërinë kosovare.

Artisti tregon me prova se syri i tij prej artisti depërton në problemet që ka shoqëria, edhe pse syri i zakonshëm e ka të vështirë t’i dallojë, si çështja e adresave që mungojnë në qytet:

Albani i shpjegon audiencës në Nju Jork se si lindin punimet e tij. Çfarë fshihet prapa emrave, është një temë që ai e ka trajtuar gjerësisht.

Në sfond, ai ka fotografinë e 9 djemve nga Kosova, të cilët mbajnë të gjithë emrin Tonibler, të gjithë të lindur në vitin 1999.

Përse quhen ata kështu?

Përse dikush në Kosovë ka emrin Tibet? Është një tjetër punim i tij, ku nëpërmjet emrit sjell një botë të tërë ndjenjash dhe mendimesh.

Qasja e Albanit është prezantimi i shtetit të ri të Kosovës me anë të artit të kapshëm nga të gjithë, edhe nga këta fëmijë të vegjël.

Është arti i një vendi që nuk njihet shumë, por që mund të promovohet nëse ekziston dëshira e mirë.

Dearta Fusaro është menaxhere programi në Institutin Shqiptar të Nju Jorkut:

“Instituti Shqiptar në Nju Jork shërben për promovimin e artit dhe kulturës sonë jo vetëm mes shqiptarëve të Nju Jorkut, por përpara gjithë njurokezëve. Ky është aktiviteti ynë i shtatë për këtë vit.”

Dino Korça është Drejtor i Institutit Shqiptar në Nju Jork, një organizatë jofitimprurëse që përhap vlerat shqiptare. Ai thotë se arti është një mjet i mirë për krijimin e besimit.

Dino Korça, Drejtor i Institutit Shqiptar, Nju Jork:

“Ne nëpërmjet artit dhe kulturës po krijojmë besim, besim në vendin tonë, në kulturën tonë, në popullin tonë, besim në Kosovë, në Shqipëri.”

Instituti shqiptar financohet me donacione:

“Ne financohemi nga donatorë, njerëz që janë të interesuar për artet që reklamojnë kulturën dhe artin shqiptar në Nju Jork, pavarësisht se mund të jenë shqiptarë ose të tjerë. Ne kemi tani një përzjerje interesante donatorësh.”

Zoti Korça është edhe president i Institutit Kombëtar të Kulturës për Nju Jorkun që administrohet nga Bashkimi Evropian.

“Edhe pse funksionojmë këtu në Nju Jork, aktivitetet tona janë shumë të lidhura me Bashkimin Evropian.”

Zoti Korça thotë se një nga qëllimet e aktiviteteve si ky me artistin Alban Muja është të ndihmohet Shqipëria dhe Kosova të përparojnë për të hyjrë sa më shpejt në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG