Lidhje

Qafë Mollë: shembet tuneli, tre punëtorë humbin jetën

  • Pëllumb Sulo

Tre punëtorë të një kompanie turke, që po ndërton hidrocentralin e Qafë Mollës në Mirditë, humbën jetën mbrëmë gjatë punës, kur një masiv dheu u dhemb në hyrjen e një tuneli. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Frang ku po ndërtohet hidrocentrali. Dy prej punëtorëve janë banorë vendas, ndërsa i treti është shtetas turk. Trupat e viktimave u nxorrën nga punonjësit e shërbimeve zjarrfikëse dhe forcat e policisë. Ekspertët, që shkuan sot në vendin e ngjarjes, po analizojnë shkaqet që çuan në shembjen e dheut. Ndërkohë, përfaqësues të inspektoriatit të punës thanë se kompania turke, që po ndërton hidrocentralin e Qafë Mollës, ka përmbushur kushtet teknike, gjë që sipas tyre është verifikuar edhe gjatë kontrolleve të ushtruara nga inspektoriati i punës. Hidrocentrali nisi të ndërtohet rreth dy vite më parë nga një kompani turke, pas dhënies me koncension nga qeveria shqiptare. Që nga nisja e punimeve, banorët e zonës kanë protestuar herë pas here, duke tentuar edhe ndërprerjen e punimeve, për shkak të mos kompensimit për pronat që gjenden në territorin ku po ndërtohet hidrocentrali. Ky është njëri nga disa dhjetra hidrocentrale të ngjashëm, të dhënë vitet e fundit nga qeveria shqiptare për t'u ndërtuar me koncension.

XS
SM
MD
LG