Lidhje

Shqipëri: arrestime të shumta për drogë

  • Raimond Kola

Policia e Vlorës arrestoi tetë persona, pasi u kapën me armë dhe lëndë narkotike, ndërsa tre persona të tjerë u shpallën në kërkim.

Në Gjirokastër, në dy operacione të tjera, njëri prej të cilëve në Lazarat, u arrestuan dy persona të shpallur në kërkim për transport të narkotikëve.

Operacioni në Vlorë u zhvillua në Penkovë, një fshat i Lumit të Vlorës, zonë e njohur për kultivimin e narkotikëve. Policia tha se mes të arrestuarve katër ishin gra, të cilat përkujdeseshin për pastrimin dhe tharjen e bimëve narkotike.

Policia dyshon se tre prej pronarëve të lëndës narkotike kanë mundur të largohen, ndërsa mbi dyqind kilogramë marijuanë e tharë u sekuestrua.

Policia po ndesh çdo ditë e më shumë në zona të ndryshme të vendit “modelin e Lazaratit” në përpunimin e narkotikëve. Sipas ekspertëve, pas grumbullimit të bimës që tani pothuajse ka përfunduar, merren në punë gra apo vajza (madje edhe fëmijë) për të vjelë gjethet nga bima e marijunës dhe për t'i tharë.

Më pas lënda narkotike presohet në makineri artizanale dhe paketohet në sasi të vogla një apo dy kilogramëshe, të cilat mbështillen me letër të posaçme.

Ekspertët e antidrogës kanë zbuluar në mjaft raste se nga lënda narkotike prodhohet edhe vaj marijuane, i cili tregëtohet më shtrenjë nga trafikantët dhe përdoret kryesisht për përpunimin e llojeve të forta të drogës.

Policia, në pjesën dërmuese të operacioneve të saj, sekuestron jo vetëm lëndë narkotike, por edhe armatime dhe municione. Eksperët e antikrimit thonë se transporti i marijuanës shoqërohet në të gjitha rastet nga trafikantë të armatosur, për shkak të vlerës së madhe financiare të “mallit” që transportohet dhe rivalitetit të grupeve që kontrollojnë këto aktivitete.

XS
SM
MD
LG