Lidhje

Shqipëri: Analistët komentojnë pas shpërthimeve


Shpërthimet e fundit në Tiranë u vlerësuan nga prokuroria si akte terroriste. Analistët në Shqipëri besojnë se sulmi ndaj familjarëve të ministrit të brendshëm shënon një nivel të ri të krimit të organizuar. Sipas tyre, këto krime mund të zbardhen vetëm më bashkëpunim profesional dhe jo t'i lihen harresës, si në shumë raste të tjera.

Analistët pohuan se shpërthimet e fundit janë në vazhdën e ngjarjeve të ngjashme dhe të pazbuluara. Sipas tyre, tritoli nuk është ngjarje e rrallë dhe është bërë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve. Por në këtë rast guximi i krimit të organizuar është ngjitur deri tek ministri i brendshëm dhe familjarët e tij.

Gazetari i njohur i kronikës së zezë, Artan Hoxha, thotë se autorët nuk synuan viktima dhe dëme, por donin zhurmë e panik, si dhe mesazhe ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve. Sipas tij, kjo ëshë një ngjarje e mirëfilltë terroriste ndaj qytetarëve dhe një presion i hapur ndaj ministrit të brendshëm.

Nga ana tjetër, analisti politik Lutfi Dervishi, thotë se shpërthimet pa viktima janë një mesazh i qartë për shtetin, ndaj ky lloj krimi i organizuar kërkon një punë të mirëfilltë në terren me profesionalizëm dhe me bashkëpunim të ngushtë të qytetarëve, i cili ka munguar për shumë kohë.

Analistët renditën një seri vrasjesh dhe ngjarjesh kriminale të pazbuluara, të cilat janë zvarritur me muaj e vite. Fuqia zbuluese e forcave shtetërore të antikrimit është një tjetër sektor që duhet të përmirësohet me profesionalizëm dhe me më shumë fonde.

Forcat e rendit kanë bërë kohët e fundit disa goditje ndaj krimit të organizuar në fushën kultivimit dhe përgatitjes së drogave. Po ashtu janë arrestuar jo pak autorë veprash kriminale të përmasave nga më të ndryshmet. Megjithatë, ende disa nga krimet më të rënda mbeten pa autorë dhe krimi i ri është një sfidë e re për forcat e rendit për të gjetur autorët dhe për të fituar besimin e qytetarëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG