Lidhje

Anëtarët e Këshillit të BSH në parlament

  • Armand Mero

Në Shqipëri anëtarët e Këshillit mbikqyrës të Bankës Qendrore do të paraqiten nga nesër në seanca dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, pas skandalit të vjedhjes prej afër 7 milion dollarësh. Ndërsa duke nisur nga data 5 shtator ata janë thirrur për t’u marrë në pyetje edhe nga prokuroria, në kuadër të hetimeve të nisura prej saj.
Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elvira Golemi, është e para anëtare e Këshillit Mbikqyrës e cila është thirrur nesër në një seacë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Një ditë më pas do të jetë parardhësja e saj në këtë post, Teuta Baleta.
Komisioni i Ekonomisë ka zgjedhur të nis seancat dëgjimore, lidhur me skandalin e Bankës, pikërisht me ato që kanë mbuluar funksionin e Inspektorit të Përgjithshëm, pasi sipas kryetarit të komisionit Erion Brace, raportet e tyre vjetore kanë nxjerrë në pah problematika mjaft të rënda sipas tij, lidhur me funksionimin dhe veprimtarinë e Bankës. Këto raporte, i janë mohuar parlamentit prej shumë vitesh ka deklaruar zoti Brace.
Javën ardhshme, në komision do të paraqiten edhe anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikqyrës, dhe në përfundim, do të thirret për herë të dytë edhe guvernatori Ardian Fullani. Zoti Brace ka patur kritika të hapura ndaj zotit Fullani, për shkak se ai, sipas tij, nuk i është përgjigjur plotësisht kërkesës së Komisionit për informacione nga Banka.
Por që nga kjo javë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës së Bankës do të duhet të paraqiten edhe në prokurori. Të premten, prokurorët e cështjes kanë thirrur anëtaren Ermelinda Meksi, e cila gati tre javë më parë kërkoi në Këshillin Mbikqyrës shkarkimin e guvernatorit Fullani. Një kërkesë e cila u hodh poshtë në unanimitet nga Këshilli. Po të premten do të pyetet edhe Inspektorja e Përgjithshme Golemi. Ndërsa javën e ardhshme anëtarët e tjerë. Ende prokurorët nuk kanë fiksuar një datë për të marrë në pyetje guvernatorin Fullani.
Deri më tani janë 17 persona të konsideruar përgjegjës për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Hetimi ka nxjerrë në pah mos funksionimin e një sërë hallkash dhe strukturash të Bankës. Guvernatori Fullani dhe Këshilli Mbikqyrës ka këmbëngulur në variantin se rregulloret dhe procedurat e Bankës kanë qenë në përputhje me standartet më të larta.
Por arrestimet e fundjavës së shkuar nxorrën në dritë edhe një fakt tjetër. Dy nga 7 anëtarët e Komisionit të inventarizimit në Bankën e Shqipërisë, të cilët kanë bërë verifikimet e arkës në vitin 2012 dhe 2013, kanë qenë elektricisti dhe hidrauliku i Bankës. Mbetet i paqartë se cili ka qenë kriteri i përzgjedhjes së tyre dhe se cfarë i lidh këto dy profesione me një operacion të pastër financiar, sic është bërja e një inventari, aq më tepër i inventarit të arkës së Bankës Qendrore.
Për situatën në Bankën e Shqipërisë, është folur edhe gjatë takimit që pati sot në këtë institucion misioni i Fondit monetar ndërkombëtar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG