Lidhje

Shkarkohet pas arrestimit guvernatori Fullani


Në Shqipëri, 24 orë pas arrestimit të guvernatorit të Bankës Qëndrore Ardian Fullani, Këshilli Mbikqyrës i Bankës ka vendosur pak para mesnatës t’i propozojë parlamentit edhe shkarkimin nga detyra të zotit Fullani. Sipas përcaktimeve ligjore kompetencat e drejtimit ekzekutiv të Bankës i kalojnë zëvendës guvernatores së parë Elizabeta Gjoni. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmë se gjatë ditës së djeshme ka patur kontakte të shumta me ekspertë si dhe me Misionin e Fondit Monetar, lidhur me situatën e krijuar në Bankë. Mbështetja e punës së Prokurorisë dhe garantimi i pavarësisë së Bankës do të jenë në bazë të angazhimit të qeverisë dhe parlamentit për këtë cështje, saktësoi një deklaratë e qeverisë.

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipëris u mblodh mbrëmë në një seancë urgjente e cila zgjati afër 5 orë. Ndonëse tre javë më parë, pas një kërkese për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani, të paraqitur nga anëtarja Ermelinda Meksi, anëtarët e tjerë dolën në mbështetje të guvernatorit, mbrëmë duket se të gjithë u dorëzuan përpara faktit se prej 24 orësh zoti Fullani ndodhej i arrestuar e bashkë me të edhe Inspektorja e Përgjithshme Elivar Golemi. Në përfundim të mbledhjes, me anë të një deklarate, u njoftua vendimi për t’i propozuar Parlamentit shkarkimin e guvernatorit të Bankës. Propozimi është mbështetur në nenin 47 pika C të ligjit për Bankën e Shqipërisë, i cili parashikon shkarkimin e guvernatorit kur “gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cënuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë”.

Këshilli ka shmangur çdo koment mbi situatën e krijuar. Por, në ndryshim nga deklarata e mëparshme lidhur me vjedhjen në Bankë, ku këmbëngulte se ajo cfarë kishte ndodhur kishte qenë pasojë e një dobësie njerëzore dhe jo sistemit të ngritur nga Banka, këtë herë ka vlerësuar se “falë masave që janë marrë dhe do të merren për përmirësimin e funksionimit të Bankës së Shqipërisë dhe falë profesionalizimit të personelit të saj, ky institucion do të rikthehet për të qenë simbol i krenarisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare”.

Sipas parashikimeve të ligjit, kompetencat e drejtimit të Bankës i kalojnë tanimë zëvendës guvernatores së parë Elizabeta Gjoni. Përmes deklaratës, Këshilli shprehet se jep “mbështetjen e plotë për Zëvendësguvernatorin e Parë në marrjen e kompetencave për drejtimin ekzekutiv të Bankës, dhe vlerësoi pozitivisht masat e marra prej saj për të siguruar vijimësinë normale të veprimtarisë operacionale të institucionit”.

Situata që pasoi arrestimin e guvernatorit dhe Inspektores së përgjithshme, ka vënë në lëvizje edhe qeverinë, e cila deri më tani kishte qenë në një pozicion pritës, duke ndjekur zhvillimin e hetimeve. Mbrëmë ekzekutivi njoftoi se kryeministri Edi Rama ka patur gjatë ditës kontakte të shumta lidhur me këtë çështje. “Që herët në mëngjes, ai ka pasur një takim me Kryetarin e Parlamentit, pasuar me një sërë telefonatash me partnerë e ekspertë ndërkombëtarë të qeverisë dhe më pas, një tjetër takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar”, - shpjegon njoftimi.

Më pas saktësohet se “mbështetja për Prokurorinë e drejtësinë për të kryer deri në fund punën e nisur dhe garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë për ta kapërcyer situatën me autoritet të plotë moral e profesional, duhet e do të jenë dy pika të palëvizshme referimi për qeverinë në trajtimin e këtij problemi madhor”.

Deklarata vë në dukje se “Kryeministri e Qeveria, në bashkëpunim të ngushtë me parlamenti, do të ndërmarrin me përgjegjshmëri të lartë morale e përgjegjësi të plotë ligjore, të gjithë hapat e nevojshëm që Banka e Shqipërisë të dalë më e fortë moralisht, më e sigurt institucionalisht, më transparente administrativisht dhe padyshim plotësisht e pavarur, nga një situatë si kjo që nuk duhet të përsëritet më kurrë në të ardhmen”.

Pas vendimit të mbrëmshëm të Këshillit Mbikqyrës, Parlamenti do të duhet të vulosë shkarkimin e guvernatorit, e me gjasë edhe të Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi, emërimi dhe shkarkimi i së cilës është një kompetencë e drejtpërdrejtë e tij. Për të ka tanimë një kërkesë nga Komisioni i Ekonomisë, për nisjen e procedurave të shkarkimit dhe arrestimi i saj është një arsye edhe më e fortë.

Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me anëtarët e Këshillit Mbikqyrës. Duke nisur që prej të hënës, ata janë thirrur në seanca dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë. Po të hënën, zoti Fullani dhe Inspektorja e Përgjithshme Golemi do të ballafaqohen për herë të parë me gjykatën, e cila kishte urdhëruar arrestimin e tyre me kërkesë të Prokurorit. Të dy akuzohen për shpërdorim detyre, dhe sipas Prokurorisë, janë të paktën 5 raste ku janë vërejtur shkelje ligjore nga ana e guvernatorit dhe 4 raste nga ana e zonjës Golemi.

XS
SM
MD
LG