Lidhje

Reagime për kishën në Dhërmi


Klerikë fetarë ortodoksë dhe Kryetari i Bashkisë së Himarës Gjergji Goro u takuan të martën për të diskutuar për zhvillimet në Kishën e Shën Thanasit në Dhërmi.

Gjatë ditëve te fundit në këtë zonë ka pasur tensione mes besimtarëve dhe autoriteteve pas një vendimi për prishjen e një mbulese prej betoni, që shërben si çati mbi rrënojat e kësaj Kishe.

Vendimi për prishjen e ndërtimit të paligjshëm është marrë më 19 gusht të këtij viti nga Inspektoriati Ndërtimor i Himarës. Tre ditë më vonë, Inspektoriati vendor i është drejtuar Inspektoriatit Kombëtar të Ndërtimit për mbështetje për këtë ndërhyrje.

Objekti parashikuar për t`u prishur është një soletë betoni disa metër katrorë e hedhur nga besimtarët diku në vitin 1992 për të mbuluar rrënojat dhe për vijuar në këtë vend fetar ritet ortodokse. Soleta mbahet në muret e vjetra të kishës, që u shkatërrua në vitin 1972 nga regjimi komunist në të ashtuquajturin “revolucion kulturor”.

Inspektorët nisën ndërhyrjen të premten e javës së shkuar, por puna u ndërpre pasi ndërhyrja ngjalli reagime të forta të besimtarëve dhe të vetë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipëris.

Kisha u shpreh se dënonte ashpër këtë ngjarje, që "ndikonte sipas saj në pronën dhe lirinë e besimit fetar në Shqipëri”. Autoritet shqiptare fillimisht pohuan se aksioni synonte prishjen e një ndërtimi të paligjshëm mbi një monument kulture, por më pas u mësua që kisha nuk figuronte në Listën e Monumenteve të Kultures te Qarkut të Vlorës.

Vetë Kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një komunikimi në rrjetet sociale duke iu përgjigjur pyetjeve nga publiku u shpreh te hënën:

“Është të qeshësh e të qash që një ngrehinë si garazh e quajnë kishë dhe vënë kujën pse po rikthejmë në jetë trashëgiminë tonë!”

Një ditë më vonë, të martën, Kryeministri Rama postoi në rrjetin Twiter dy foto të kishës njëra që dëshmonte gjendjen e saj para se të prishej dhe tjetra që paraqet soletën e betonit hedhur menjeherë pas viteve nëntëdhjetë kur në Shqipëri u lejua liria e besimit.

”Kishe e vjeter e Dhermiut qe do rilinde ne emer te trashegimise kombetare dhe "garazhi" pa leje qe e quajne kishe!!!”, - shkruan kryeministri shqiptar në krye të fotove të postuara.

Pas deklaratave të kryeministrit është përgjigjur po në rrjetet sociale Zëdhënësi i Kishës Ortodokse Thoma Dhima:

“Sipas llogjikes se rilindjes se trashegimise, duhet te shemben te gjitha objektet e ngritura mbi kishat ortodokse pas ardhjes se pushtimit otoman”,shkruan Dhima ne rrjetin Facebook.

Zhvillimet në rrënojat e kishës mbi fshatin e vogël bregdetar të Dhërmiut kanë përfshirë edhe interesimin e Greqisë fqinje. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, deklaroi në Athinë se Greqia ishte në pritje të shpjegimeve nga qeveria shqiptare lidhur me këtë incident.

Edhe Tirana zyrtare reagoi përmes Glevin Dervishit, zëdhënësit të Ministrit të Jashtëm Shqiptar.

“Konstatojmë se qëndrimi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, përbën, në këtë kontekst, një ndërhyrje në mbarëvajtjen e rendit të brendshëm civil, administrativ dhe gjyqësor të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh zëdhënësi.

E ardhmja e procesit të nisur në rrënojat e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi është ende e paqartë per besimtaret. Autoritetet shtetërore dhe vetë Kisha nuk kanë ende një projekt për rindërtimin e Kishës.

Një marrëveshje midis Qeverisë shqiptare dhe Kishës Ortodokse , nënshkruar në vitin 2009 dhe ratifikuar në 2015 parashikon neNenin 21 te saj:

“Ndërtesat dhe objektet që shërbejnë për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të shenjta nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ndërhyrja e autoriteteve shtetërore në to është e ndaluar, me përjashtim të rasteve të flagrancës, kur një gjë e tillë kërkohet në zbatim të një urdhri të prokurorisë, të një vendimi gjyqësor ose titulli ekzekutiv, ose në rast të kanosjes së një rreziku të afërm.”

Trego komentet

XS
SM
MD
LG