Lidhje

DASH: Dekriminalizimi të vazhdojë

  • VOA

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Yee vlerësoi pozitivisht masat që ka filluar të marrë Shqipëria për dekriminalizmin e parlamentit dhe u bëri thirrje qeverisë dhe partive politike që kjo prirje e nisur të vazhdojë.

“Shqipëria ka arritur përparim të madh gjatë viteve të fundit drejt realizimit të synimit të saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe integruar në institucionet euro-atlantike. Përmirësimet drejt krijimit të një shteti ligjor kanë qënë shumë të dukshme dhe për t’u përshëndetur. Kohët e fundit kemi parë masa për të dekriminalizuar parlamentin dhe ne mendojmë se ky është një zhvillim shumë pozitiv. Ne i kemi përshëndetur publikisht qeverinë dhe partitë për përpjekjet e tyre për të çrrënjosur korrupsionin brenda vetë partive, për të larguar anëtarët e partive dhe të parlamentit që dyshohen për korrupsion. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ne shpresojmë që kjo prirje do të vazhdojë. Shqipëria duhet të vazhdojë të luftojë korrupsionin që të realizojë endërrën e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, jo vetëm në parlament, por në të gjitha fushat e qeverisjes, në gjithë institucionet qeveritare, në të gjitha nivelet. Duhet të ketë një mesazh të qartë në të gjitha nivelet e shoqërisë, që askush nuk është mbi ligjin, që shteti ligjor duhet të sundojë. Shqipëria duhet të plotësojë standartet evropiane në mënyrë që të realizojë aspiratat e saj", u shpreh zyrtari i lartë amerikan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG