Lidhje

Shqipëri: Forum për luftën kundër korrupsionit


Në Tiranë qeveria zhvilloi sot një forum mbi ecurinë e deritanishme të luftës kundër korrupsionit. Kryeministri Edi Rama tha se shumica e re po përpiqet ta përmirësojë sistemin shtetëror përballë korrupsionit, dhe jo thjesht të shënojë disa raste zyrtarësh të dënuar. Ndërsa ambasadori i OSBE-së Florian Rauning theksoi që ndonëse janë denoncuar disa qindra zyrtarë, ende nuk është dënuar asnjë zyrtar i lartë. Shqipëria është e fundit në rajon për nivelin e pereptimit të korrupsionit, sipas organizatës Transparency International.

Shqipëria ka marrë nga OSBE një strategji të qartë për të luftuar korrupsionin” - Kështu deklaroi sot drejtuesi i zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Florian Rauning, në një forum të organizuar nga qeveria mbi korrupsionin. Ambasadori Rauning tha se korrupsioni po dëmton qytetarët dhe bizneset, po shkatërron ekonominë dhe besimin e publikut. Ai theksoi se këtë vit u denoncuan disa qindra nëpunës për mitmarrje, por asnjë zyrtar i lartë nuk u dënua për korrupsion.

Sipas një studimi të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, korrupsioni dhe qeverisja e dobët janë faktorët më problematikë për biznesin në Shqipëri. Studimi nxorri se rryshfeti nga sektori privat në Shqipëri është sa rreth 11% e Produktit të Përgjithshëm Bruto për frymë. Ambasadori Rauning tha se edhe perceptimi i qytetarëve për nivelin e korrupsionit mbetet i lartë dhe se për ta luftuar këtë nevojitet bashkëpunimi i ngushtë i institucioneve.
Nga ana tjetër, qeveria Rama është shprehur se një reformë e thellë në sistemin gjyqësor do të forcojë luftën kundër korrupsionit. Qeveria beson se niveli i lartë i korrupsionit në drejtësi favorizon mitmarrjen edhe në fusha të tjera. Kryeministri Edi Rama tha në forum se korrupsioni po luftohet me modernizimin e shtetit dhe jo me gjueti shtrigash. Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit nuk mund të kufizohet me disa të korruptuar, por do të vijë nga forcimi i sistemit shtetëror të pakorruptueshëm.
Organizata Transparency International publikoi pak ditë më parë indeksin vjetor të perceptimit të korrupsionit, ku Shqipëria renditej e fundit në Ballkan dhe e 110 nga 175 shtete të botës. Korrupsioni është një nga problemet kryesore të Shqipërisë dhe Bashkimi Europian e ka renditur në krye të detyrave për procesin e integrimit dhe për statusin e vendit kandidat.
XS
SM
MD
LG