Lidhje

Shqipëri, zbulohet një grup i rrezikshëm kriminal

  • Armand Mero

Në Shqipëri policia njoftoi zbulimin e një grupi , i cili dyshohet të jetë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura dy vitet e fundit në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, si vrasje dhe shpërthime eksplozivi. Tre persona janë arrestuar, mes të cilëve dhe një 30 vjecar i cili dyshohet të ketë kryer të paktën 20 vrasje me pagesë në Greqi. Në banesën e tij u gjet një arsenal i tërë me armë dhe bomba. Grupi, sipas policisë po përgatitej për vrasjen e një biznesmeni

Ndërsa në vend janë regjistruar kohët e fundit disa atentate me bomba të telekomanduara, policia e Tiranës njoftoi se ka arritur të zbulojë një grup të rrezikshëm, i cili dyshuhet të jetë përgjegjës për të paktën dy vrasje të ndodhura në Vlorë në gushtin e vitit 2012 dhe 2013, si dhe për vendosjen e bombave në katër raste, mes të cilave edhe shpërthimi i ndodhur në qershor të vitit të kaluar në banesën e kryetarit të partisë demokratike të Vlorës Ardian Kollozi apo dhe eksplozivi i gjetur në makinën e prefektit të Vlorës Besnik Dervishi pak javë më parë.
Gjithshka ka nisur nga arrestimi të shtunën e kaluar të 30 vjecarit Julian Sinanaj, i cili dyshohet se është autor i mbi 20 vrasjeve me pagesë si dhe veprave të tjera penale të rënda në Greqi. Sipas policisë ai kishte njohuri të shumta në prodhimin dhe vendosjen e eksplozivëve të telekomanduar. Dhe në fakt, gjatë kontrollit të banesës së tij në Tiranë, marrë me qera, atij ju gjetën përvecse një arsenali armësh edhe lëndë plasëse me telekomandat për shpërthimin e tyre.

Ndërsa dje policia ka arrestuar edhe një tjetër pjestarë të grupit, Marion Mitron, i cili u kap në aeroport pak përpara se të nisej jashtë vendit. Policia tha se kishte disa ditë që po e mbant atë nën vëzhgim. Mitro punonte në Inspektoriatin e Ndërtimit të Bashkisë së Vlorës dhe dyshohet që ai të ketë qenë porositësi për vënien e bombës në makinën e prefektitr Besnik Dervishi.

Një person i tretë, po pjesë e këtij grupi është arrestuar, ndërsa dy të tjerë kanë mundur të largohen dhe janë shpallur në kërkim. Sipas policisë ky grup kriminal ishte duke përgatitur edhe vrasjen e një biznesmeni.

Në një postim në facebook ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shpreh se sipas tij “kjo është padyshim goditja më spektakolare ndaj krimit të organizuar në historinë e Policisë së Shtetit”. Zoti Tahiri është vendosur ditët e fundit nën akuzat e përsëritura të opozitës për shkak të përhapjes shqetësuese të shpërthimeve të bombave të telekomanduara. Një tjetër rast u regjistrua mbrëmë edhe në Tiranë në një nga akset kryesore të kryeqytetit shumë oranë qendrës. Sërish dyshohet për një shpërthim me tritol vënë në një makinë të parkuar në anë të rrugës. Këtë herë nga shpërthimi nuk pati viktima apo të lënduar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG