Lidhje

Raporti i DASH-it për terrorizmin: Shqipëria dhe Kosova


Shqipëria vazhdoi të ishte një mbështetëse e fortë e përpjekjeve anti-terroriste gjatë vitit 2014 dhe u bë pjesë e Koalicionit Global kundër grupit Shteti Islamik.

Shqipëria i dhuroi një sasi të madhe armatimi dhe municioni luftëtarëve Peshmerga në veri të Irakut.

Shqipëria është një vend burim për luftëtarë të huaj terroristë që shkojnë në Siri dhe Irak.

Legjislacioni shqiptar i dënon aktet terroriste, financicmin e terrorizmit, transferimin e fondeve që financojnë terrorizmin, rekrutimin dhe trajnimin e individëve për të kryer akte terroriste, nxitjen, krjimin dhe pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Ndërsa organet e rendit në Shqipëri punojnë aktivisht për të zbuluar dhe penguar aktivitete të paligjshme që lidhen me drogat dhe trafiqet, ato ende nuk kanë të njëjtën qasje agresive për të përballuar kërcënimet e mundshme terroriste.

Policia njoftoi plane në tetor të vitit 2014, për të zgjeruar ndjeshëm njësinë anti-terroriste.Trajnimi dhe pajisja e kësaj njësie do të ketë nevojë për përpjekje të konsiderueshme që ajo të arrijë nivelin e duhur të kapacitetit për të përballuar me efektivitet terrorizmin.

Shqipëria nuk ka kapacitetet për të grumbulluar të dhëna biometrike veç atyre të kartave të identitetit dhe pasaportave që paraqiten në pikat e kalimit kufitar.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë një sistem të ri, i cili u jep mundësi autoriteteve të inkorporojnë funksionet e identifikimit on-line të shenjave të gishtave. Po ashtu Shqipëria është duke marrë teknologji për të përpunuar shenjat e gishtave në të 26 pikat e kalimit kufitar. Teknologjia e kontrollit në kufi do t’i lejojë autoritetet të grumbullojnë të dhëna gjatë hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve.

Korrupsioni, i kombinuar me një sistem të dobët drejtësie, vazhdon të pengojë përpjekjet e Shqipërisë për zbatimin e ligjit.

Shqipëria ka miratuar nisma kundër personave dhe organizatave të përfshira në listën e OKB-së si financuese të terrorizmit dhe ka krijuar një sistem parandalues kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit që e detyron atë të raportojë transaksione të dyshimta.

Shqipëria është anëtare e Grupit të Punës për Veprimet Financiare (FATF), një nismë rajonale. Aktualisht ky grup e rendit Shqipërinë si një vend me rrezik të lartë dhe jo-kooperues. Shqipëria po bashkëpunon me me FATF-in, për të përmirësuar këto dobësi.

Qeveria e Shqipërisë i jep ndihmë financiare Bashkësisë Islame dhe bashkëpunon me të aktivisht për të diskutuar rreth radikalizimit dhe rekrutimit të individëve për synime terroriste.

Raporti për Kosovën

Kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik ka ardhur duke u rritur gradualisht në Kosovë, që pas konfliktit të vitit 1999, i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme.

Rreth 150 – 200 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 janë vrarë.

Grupet e dhunshme ekstremiste përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. Në Kosovë nuk kanë ndodhur deri tani incidente terroriste.

Publikimi në internet i një videoje që tregonte një luftëtar terrorist nga Kosova duke i prerë kokën një të riu në Siri, nxiti qeverinë që të fillonte një operacion anti-terrorist në shkallë të gjerë.

Qeveria e Kosovës e mirëpret bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për përpjekjet anti-terroriste. Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar autoritetet vendase për disa raste aktive anti-terroriste.

Kosova është anëtare e Koalicionit Global kundër Grupit Shteti Islamik dhe ka marrë masa për të ndihmuar në këtë përpjekje brenda aftësive dhe kufizimeve të saj. Ajo është përqëndruar kryesisht në pengimin e rrjedhës së luftëtarëve të huaj terroristë, në zbulimin dhe kufizimin e financimit të grupeve terroriste dhe në dhënien e ndihmës humanitare për refugjatët nga Siria.

Në vitin 2014, autoritetet e Kosovës arrestuan rreth 70 individë nën dyshimet për terrorizëm, rreth 40 prej të cilëve ishin luftëtarë të huaj, terroristë të kthyer.

Qeveria e Kosovës ka filluar të shqyrtojë mënyrat për t’iu kundërvënë propagandës së Shtetit islamik, por nuk ka hedhur ende ndonjë hap konkret.

Kosova ka një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse, që mbulon gjithë aspektet kriminale që lidhen me terrorizmin. Kodi Penal i Kosovës, ndjek modelin e OKB-së përsa i përket ligjeve anti-terroriste.

Autoritetet e Kosovës miratuan ligjet përkatëse në vitin 2014 që e bën krim pjesëmarrjen ose mbështetjen e grupeve ushtarake që veprojnë jashtë Kosovës.

Autoritetet nuk kanë përvojë në trajtimin e rasteve të lidhura me terrorizmin. Komunikimi dhe shkëmbimi i informacionit mbetet një sfidë për organet e rendit. Paaftësia e prokurorëve për t’u marrë me rastet që kanë të bëjnë me terrorizmin i vështirëson më tej përpjekjet për t’i nxjerrë të dyshuarit para drejtësisë. Shtetet e Bashkuara i ndihmojnë nga afër autoritetet për rastet që lidhen me terrorizmin.

Qeveria e Kosovë kreu opracionin më të madh anti-terrorist në verën e vitit 2014, kur arrestoi 59 individë nën dyshimin për aktivitete terroriste.

Kosova nuk është anëtare e Grupit të Punës për Veprime Financiare (FATF), një organizëm rajonal. Asaj i mungon sistemi i duhur për të regjistruar dhe vëzhguar OJQ-të, që marrin fonde nga burime të dyshimta.

Anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare është bllokuar për shkak të vendeve që ende nuk e njohin pavarësinë e saj, gjë që pengon bashkëpunimin për shumë çështje, përfshirë anti-terrorizmin. Për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe mosnjohjes nga Bosnje Hercegovina, Kosova ndeshet me vështirësi për të marrë pjesë në nismat rajonale anti-terroriste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG