Lidhje

Shqipëri: Polemika për situatën ekonomike


Në Shqipëri vazhdojnë polemikat për situatën ekonomike dhe financiare të vendit mes qeverisë së kryeministrit në detyrë Sali Berisha dhe të majtëve të cilët dolën fitues në zgjedhjet e 23 qershorit.
Socialistët kanë shprehur shqetësim për gjendjen financiare që pritet të trashëgojnë. Sot përfaqësuesi i tyre Ilir Beqja tha se për gjysmën e parë të vitit janë sipas tij afër 200 milion dollarë të ardhura më pak. Ai kërkoi për këtë, nga ministria e financave, që të ushtrojë detyrimin e saj në mbledhjen e të ardhurave.
Nga ana e tij në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha deklaroi se po i lë shumicës së re një ekonomi të qëndrueshme që vazhdon të rritet, tha ai, me një reduktim të deficitit tregtar, me nivel të ulët të papunësisë dhe një deficit buxhetor në parametrat e parashikuar”, deklaroi zoti Berisha.
Por sipas zotit Beqja qeveria ka ezauruar 90 përqind të deficitit vjetor brenda gjysmës së parë të vitit. Socialistët ripërsëritën sot thirrjen që ekzekutivi të mos ndërmarrë vendime me efekte financiare. Por zoti Berisha deklaroi edhe një herë se kabineti i tij do të vazhdojë të përmbushë deri ditën e fundit detyrën e vet, duke akuzuar të majtët se po shfaqin sipas tij shenja të nje revanshi të papranueshëm.
Sot qeveria vendosi të ndërmarrë një seri shkurtimesh të shpenzimeve financiare të cilat prekin fondet operative për udhëtime, shpenzime telefonike, dieta e udhëtime jashtë vendit. Ndërsa shpallja e tenderave do të kryhet vetëm me miratim të qeverisë.
XS
SM
MD
LG