Lidhje

Shqipëri: Rënie e fortë ekonomike

  • Armand Mero

Në Shqipëri, aktiviteti ekonomik shënoi një rënie të fortë gjatë tremujorit të tretë të vitit të shkuar. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, të cilat do të jenë objekt i një rishikimi të mëtejshëm, rritja e ekonomisë ka qenë negative, duke zbritur ne -2.26 për qind. Përvec bujqësisë të gjithë sektorët e tjerë kanë regjistruar një aktivitet negativ. Ky është I treti tremujor, që nga viti 2009 kur ekonomia zbret në terren negativ.



Tremujori I tretë i vitit të kaluar përkon me periudhën e tranzicionit politik në Shqiperi. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, të majtët fitues morën në dorë drejtimin e vendit vetëm në shtator. E gjithë kjo periudhë e ndërmjetme duket se ka ndikuar ndjeshëm në aktivitetin ekonomik të vendit. Që prej vitit 2009, ky është i treti tremujor, kur ekonomia shënon një rritje negative. Dhe kjo e këtij viti, është rënie me fortë e regjistruar deri më tani. Një rënie e cila ka prekur thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë përvec bujqësisë e cila ka njohur një rritje pozitive me 2.9 përqind.
Rënien më të madhe, me 10 përqind, e ka patur sektori i ndërtimit, më i prekuri nga efektet e krizës ekonomike. Me 4.6 përqind u ul, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, grupi i industrive i ndikuar nga rënia e fortë e industrisë prodhuese.
Grupi tregti, hotele dhe restorante pati një rënie prej 3,4 % në tremujorin e tretë të vitit 2013 Në këtë grup, sipas INSTAT-it, rënia me rreth 13 % e degës së hotele dhe restorante dhe degës së tregtisë me 1,6% patën ndikimin më të madh.
Edhe aktiviteti i transportit në tremujorin e tretë të vitit 2013 u ul me 4,2 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Ndërsa grupi i Postë dhe Komunikacionit u shfaq me rënie prej 1,2 % në tremujorin e tretë të vitit 2013. Rënie me të lehtë, me 0.5 përqind, regjistroi grupi i shërbimeve.
Në pjesën e parë të vitit aktiviteti ekonomik, qëndroi në nivele të ulta, por pozitive: 1.87 përqind në tremujorin e parë dhe 1.68 përqind në tremujorin e dytë. Rënia e fortë e tremujorit të tretë rrezikon të kompromentojë edhe parashikimet e qeverisë për një rritje prej 1.3 përqind për 2013. Ndërkohë që edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë ishin se ekonomia do të luhatej në të njejtat shifra të gjashtëmujorit të parë edhe në pjesën e dytë të vitit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG