Lidhje

Numërimi në Tiranë ecën ngadalë


Deri tani në kryeqytet janë numëruar kutitë në më pak se 20 përqind të qendrave të votimit

Numërimi i votave për zgjedhjet parlamentare në kryeqytet po ecën ngadalë, ndërkohë që komisionerët dhe numëruesit socialistë e demokratë po fajësojnë njëri tjetrin për vonesat e mëdha e të pajustifikuara. Afro 24 orë pasi është mbyllur votimi, procesi i numërimit në Tiranë është ende deri në 17 për qind të kutive të votimit.

Deri tani janë numëruar 246 qendra votimi nga 1422 qendra votimi, pra kanë mbetur pa u numëruar edhe 83 për qind ose 1176 qendra votimi. Në Tiranë ka edhe qendra që nuk e kanë filluar fare numërimin e votave me 0 ose me vetëm një kuti. Vëzhguesit vendorë shprehën shqetësim për këto vonesa, që sipas tyre shkaktohen vetë nga partitë duke ndërruar grupet e numërimit, ose duke urdhëruar ndalesa të procesit herë pas here.

Midis vëzhguesve ekziston edhe një mendim se partitë po e vonojnë taktikisht numërimin në Tiranë për të parë se si po shkojnë rezultatet e numërimit në qarqet e tjera. Ata u bënë thirrje partive që të mos pengojnë procesin e numërimit në kryeqytet, dhe u kujtuan atyre se mbyllja e procesit zgjedhor me numërime dhe procesverbale është po aq e rëndësishme sa edhe votimi i djeshëm.
XS
SM
MD
LG