Lidhje

Spahiu: Shqipëria po ndjek reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian


Spahiu: Shqipëria po ndjek reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian
Spahiu: Shqipëria po ndjek reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian

Zëvendës-kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, deklaroi sot se Shqipëria ka plotësuar pjesën dërrmuese të standarteve për të fituar statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian. Zoti Spahiu theksoi se, megjithë skepticizmin e analistëve, Shqipëria ka lënë prapa gjithë vendet e rajonit, duke kryer reforma thelbësore në rrugën drejt BE-së, dhe duke përafruar legjislacionin me standartet europiane. Ai i bëri këto komente në një fjalim publik, i ftuar nga fakulteti juridik të Universitetit Europian të Tiranës. Sipas tij, shumë nga ligjet bazë për funksionimin e institucioneve shqiptare janë marrë nga modelet më të mira të vendeve të BE-së.

“Një pjesë kryesore të standarteve të kërkuara nga Bashkimi Europian Shqipëria i ka përmbushur më shumë se vendet fqinje; Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Shqipëria nuk ka probleme të diskriminimit etnik. Ajo nuk ka probleme me pabarazi apo konflikte fetare. Shqipëria nuk ka persona dhe kriminelë në kërkim që akuzohen për krime lufte, dhe drejtësia shqiptare është më bashkëpunuese se drejtësitë e vendeve të rajonit me strukturat e Bashkimit Europian” - tha zoti Spahiu.

Zëvendës-kryetari i KLD.-së, Spahiu tha se, sipas raportit të organizatës “Transparency International”, edhe korrupsionin Shqipëria po e lufton më shumë se vendet fqinje, sipas raporteve të tjera ekonomike, edhe ekonominë po e zhvillon më shumë se vendet e rajonit, edhe ligjin e zbaton më mirë dhe krimin po e lufton më shumë se vendet e tjera në Ballkan. Ai tha se, pas gjithë këtyre rezultateve pozitive, është për të ardhur keq që i vetmi problem që perceptohet i tillë nga Brukseli mbeten zhvillimet e brendshme politike. Zoti Spahiu tha se problem kryesor në jetën e Shqipërisë dhe në raport me Bashkimin Europian mbetet konflikti i tejzgjatur politik, i cili po bllokon miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në parlament.

“Një nga problemet kryesore është konflikti i tejzgjatur politik që krijoi pengesa për miratimin në parlament të një sërë ligjesh organike, kushtetuese që lidhen me organizmin dhe funksionimin e shumë institucioneve të pavarura në vend. Këto project-ligje nuk u bë e mundur të miratoheshin, për shkak të mungesës së kuorumit që solli bojkotimi i parlamentit nga opozitsocialiste” - tha zoti Spahiu.

Përfaqësuesi i KLD-së, Spahiu, u bëri thirrje gjithë faktorëve të brendshëm dhe ndërkombëtarë dashamirës me Shqipërinë, që të mos humbin shpresat, por të zhvillojnë një avokati më të fortë në mbrojtje të saj, në mënyrë që edhe Shqipëria të përfitojë statusin e vendit kandidat i Bashkimit Europian. Zv/kryetari KLD-së, Spahiu, deklaroi se sistemi gjyqësor shqiptar ka nevojë për përmirësime të thella në infrastrukturë, kapacitete njerëzore, heqjen e imunitetit, luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësi buxhetore dhe forcimin e sistemit të karrierës, të gjitha këto sipas modeleve dhe kërkesave të BE-së.

XS
SM
MD
LG