Lidhje

Shkodër, shpallen fajtorë 12 persona për falsifikim dokumentash

  • Pëllumb Sulo

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë një ditë më parë masën e dënimit ndaj 12 të akuzuarve nga Komuna e Postribës në rrethin e Shkodrës, ndaj të cilëve ishte ngritur akuza e falsifikimit të dokumenteve zyrtare për përfitim azili në vendet e Bashkimit Europian. Gjykata shpalli fajtor, duke e dënuar me 18 muaj burgim, Kryetarin e Misionit Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve, Nikollë Shullanin, duke i hequr edhe të drejtën e ushtrimit të detyrës si përfaqësues i përsonit juridik për një periudhë 3 vjeçare.

Gjithashtu, në vendimin e saj Gjykata e shkallës së parë në Shkodër shpalli fajtorë edhe dhjetë kryepleq të fshatrave të Komunës së Postribës, në rrethin e Shkodrës, duke i dënuar për të njëjtën akuzë me nga 10 muaj deri në dy vjet burgim si dhe me heqje të së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike.

Ndërkohë, Gjykata shpalli të pafajshëm duke e liruar nga akuzat e ngritura nga Prokuroria, Kryetarin e Komunës së Postribës, Faz Shabaj, pasi, sipas saj, nuk provohet të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohej nga organi i Prokurorisë.
Të dënuarit pritet të apelojnë vendimin brenda 10 ditësh në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Shkodrës nisi procedimin penal ndaj 12 përsonave, mes të cilëve kryetarit të Misionit Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve, kryetarit të Komunës së Postribës dhe dhjetë kryepleqve të kësaj komune, ndaj të cilëve, sipas organit të hetimit, kishte prova se kishin fallsifikuar dokumente zyrtare, me anën e të cilëve, një numër personash nga zona Veriore e Shqipërisë kishin tentuar të kërkojnë azil në vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Me anë të këtyre dokumenteve të fallsifikuara, ata vertetonin se personat e interesuar ishin përfshirë në fenomenin e gjakmarrjes dhe atë të ngujimit dhe se u rrezikojen jeta në Shqipëri.

Ndërkohë, në fillim të këtij muaji, gjatë një operacioni policor për goditjen e një grupi të organizuar që dyshohet se në mënyrë të paligjshme ka trafikuar njerëz në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, policia shqiptare arrestoi 15 persona, mes të cilëve 5 nga Qarku i Shkodrës, dhe shpalli në kërkim ndërkombëtar edhe një tjetër. Operacioni policor pёr ndalimin e tyre u shtri njёkohёsisht nё 6 rrethe tё vendit; nё Tiranё, Kavajё, Shkodёr, Malёsi të Madhe, Durrёs dhe Elbasan.
XS
SM
MD
LG