Lidhje

Shqipëria reagon ndaj qëndrimit të autoriteteve serbe


Në Shqipëri ministria e jashtme shprehur sot keqardhjen ndaj qëndrimeve të autoriteteve serbe lidhur me incidentet e ndodhura dje në Beograd të cilat cuan në ndërprerjen e ndeshjes së futbollit mes kombëtares së Serbisë dhe asaj të Shqipërisë.

Ministri Ditmir Bushati deklaroi sot pasdite se është për të ardhur keq që autoritetet më të larta serbe nuk kanë gjetur kurajon për t’u distancuar dhe për të dënuar aktet e dhunës si dhe urrejtjen e shfaqur haptazi ndaj simboleve kombëtare shqiptare dhe atyre të Natos. AI bëri thirrje që të dalin përpara përgjegjësisë autorët duke kërkuar nga pala serbe që të heqë dorë nga keqinformimi dhe propaganda mediatike. “Sjelljet ekestremiste që kërkojnë të mbajnë peng të dy popujt janë pjesë e të kaluarës” tha zoti Bushati.

Nga ana e saj edhe opozita në Shqipëri foli për një shans të humbur nga ana e Beogradit “për të dëshmuar shkëputje nga ekstremizmi i dhunshëm i së shkuarës. Një rast i humbur për të dëshmuar vizion europian dhe vullnet për të ecur përpara”, deklaroi sot deputeti Aldo Bumci, ndërkohë që kryetari i Bashkisë njëkohësisht dhe drejtuesi i opozitës Lulzim Basha vendosi që t’i japë kombëtares së futbollit titullin Mirënjohja e Tiranës.

Mbi ndeshjen e mbrëmshme Uefa ka njoftuar hapjen e një hetimi dhe pritet që ajo të dal me një vendim javën e ardhshme. Ministri i jashtëm shqiptar Bushati kërkoi prej këtij organizmi një hetim të paanshëm.

Reagime pati dhe nga Brukseli ku Maja Kocijancic, zëdhënese e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për politikën e jashtme Catherine Ashton shprehu keqardhje “për ndërprerjen e ndeshjes pas një akti provokimi”sic u shpreh ajo. Zonja Kocijancic foli për një profesionalizëm të autoriteteve serbe, ndërkohë që nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke kujtuar këtu edhe vizitën e pritshme të kryeministrit Edi Rama në Beograd, parashikuar për më 22 tetor.

XS
SM
MD
LG