Lidhje

Bllokimet në kufi pengesë për shqiptarët


Ditët e fundit po rritet shqetësimi i disa qindra të rinjve shqiptarë që synojnë punësimin sezonal në Greqi.

Shqipëria ka firmosur në Maj të vitit 1996 “Marrëveshjen për punësim sezonal të fuqisë punëtore” me vendin fqinj, por autoritetet greke kanë shtrënguar ditët e fundit kriteret e kalimit të shqiptarëve në pikat kufitare.

Sipas të dhënave policore shqiptare në pikën e kalimit të Kapshticës në Juglindje, vihet re kthimi më masiv i shqiptarëve. Në Pikën e Kakavijës në Gjirokastër dhe në atë të Qafëbotës në Sarandë kthimet janë në një masë më të vogël.

Emigrantët nuk arrijnë të dëshmojnë në kufi burimet financiare për të qëndruar për një periudhë tremujore në Greqi, apo nuk provojnë me dokumentacion nga punëdhënës grekë që mund ti presin ata në bizneset e tyre për t`i punësuar. Shqetësimi po rritet edhe tek banorët shqiptarë të zonave ndërkufitare të cilët prej vitesh punësohen në sezonin e mbledhjes së agrumeve në zonë greke të Thesprotisë.

Prefektura e Janinës ka përcaktuar kriteret mbi bazë të marrëveshjes së Punësimit Sezonal mes të dy vendeve lidhur me punësimin sezonal.Kriteret përfshijnë si detyrimin për pronarët grekë edhe për shtetasit shqiptarë që kërkojnë të marrin lejen e punës.

Në kriteret për pronarët grekë parashikohet plotësimi i një kërkese të punëdhënësit, plotësimi i një një deklarate me përgjegjësi se merr përsipër mbulimin e shpenzimeve të mbajtjes së të huajit si dhe trajtimin e tij mjekesor-farmaceutik si dhe plotësimi i një deklarate për Likujdimin e Deklarates Tatimore. Ndërsa për punëmarrësin shqiptar, kriteret janë më të thjeshta .Ai dorëzon një çertifikatë lindjeje, Fotokopje të Pasaportës, Certifikatën e Amzës Penale, Certifikatën Shendetesore nga një Spital Shteteror i vendit te ardhjes e cila konfirmon se nuk vuan nga semundje endemike ngjitese. Punëmarësit shqiptarë që lejohet të punojnë duhet të jenë nga mosha 21 deri 60 vjeç.

Pas aprovimit te kerkeses së punësimit nga Prefektura greke , punëdhënësi grek nënshkruan kontratën private të punës e cila duhet te dergohet nga Prefektura tek Konsullata Greke.

Brenda dhjetë ditësh nga hyrja e tij ne Greqi qyetari shqiptar është i detyruar te pajiset me leje qendrimi dhe leje pune. Punëtorët sezonalë shqiptarë udhëtojnë në Greqi në sezonin e vjeshtës sidomos për vjeljen e rrushit dhe përpunimin e tij nga vreshtarët grekë dhe në sezonin e dimrit për vjeljen e portokalleve ,mandarinave dhe limonave. Ata janë jo vetëm banorë të fshatrave ndërkufitare shqiptare, por edhe banorë të zonave të tjera që kanë përfituar gjatë këtyre viteve një lehtësim të kalimit në kufi për të kryer punë sezonale në Greqi. Prej 5 vitesh njësitë vendore fqinje shqiptare dhe greke nënshkruanin edhe një marrëveshje mes tyre për të ndihmuar këtë proces që i vjen në ndihmë familjeve shqiptare por edhe greke.

Ndërsa për familjet shqiptare të ardhurat e siguruara në ditë nga ky punësim i kalonin pesëdhjetë dollarët për një punëtor, nga ana tjeter bujqit grekë zgjidhnin problemin e fuqisë se madhe punëtore e cila në këtë sezon nuk arrihet të gjendet në këto zona pasi ato janë braktisur nga të rinjtë grekë. Sipas autoriteteve vendore shqiptare në këto vite nuk janë shënuar shkelje apo parregullsi prej këtyre punëtorëve gjatë qëndrimit në Greqi. Shumë prej tyre kanë ndërtuar lidhje familjare me banorët e anës tjetër të kufirit në Greqi dhe kjo ka ndihmuar edhe në forcimin e lidhjeve ndërkufitare dhe në marrëdhëniet shtetërore e të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve.

XS
SM
MD
LG