Lidhje

Shqipëri: Ulet sërish norma e interesit


Në Shqipëri Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot pasdite të ulë sërish normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje duke e cuar atë në nivelin 2.25 përqind, një tjetër minimum historik.

Në deklaratën e tij Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se “ulja e normës bazë të interesit do të krijojë kushte më të mira për financimin e aktivitetit ekonomik në vend, duke ndihmuar në kthimin e ekonomisë në potencial dhe të inflacionit në objektiv në një periudhë afatmesme”.

Banka shpjegon se “bazuar në kushtet monetare ekzistuese, kthimi i inflacionit në objektiv mund të jetë më i ngadaltë krahasuar me vlerësimet e mëparshme, si pasojë e goditjeve më të forta të ofertës dhe e dobësisë së vazhduar të kërkesës agregate” e për këtë arsye vendosi të ndërhyjë përmes uljes së normës bazë të interesit. Sipas Bankës “politika monetare stimuluese synon të krijojë kushte më të lehtësuara financimi për konsumin dhe investimet private”.

Që prej verës së vitit 2011, kur norma bazë e interesit ishte 5.25 përqind, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë 12 herë duke e ulur atë. Gjatë vitit 2013 ajo ndërhyri katër herë, ndërsa vendimi i sotëm, është ulja e tretë brenda këtij viti.

Megjithatë, masat e marra nga Banka janë reflektuar më së shumti në uljen e interesave të depozitave, të cilat kanë zbritur me mbi 4 pikë përqindje, ndërkohë që interesat e kredive janë reduktuar në një masë më të vogël.

XS
SM
MD
LG