Lidhje

Drejtësi, SHBA -BE: S’do lejojmë dështimin e Reformës


Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin flasin në nisje të mbledhjes së Komisionit të Posaçëm ku u paraqit variant përfundimtar i hartuar nga ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e delegacionit të Bashkimit europian, Romana Vlahutin deklaruan sot se SHBA-të dhe BE-ja nuk do të lejojnë që reforma në Drejtësi të dështojë, Të dy ambasadorët, mbajtën një fjalë në hapje të mbledhjes së Komisionit të Posacëm të Reformës në Drejtësi, ku sot pasdite i paraqit varianti përfundimtar i përpunuar nga ekspertët e misionit amerikan të asistencës ligjore OPDAT dhe atij europian EURALIUS.

Shqipëri, reforma në drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:46 0:00

Mbledhja e sotme e Komisionit të Reformës në Drejtësi u parapri nga një seri takimesh që ambasadori Donald Lu, por dhe kolegia e tij e Bashkimit europian Romana Vlahutin, patën me drejtuesit politik shqiptarë. Dhe si për të theksuar rëndësinë e momentit në të cilin ndodhet procesi i Reformës në Drejtësi ata ishin dhe vetë në hapje të mbledhjes së sotme ku u paraqit varianti I përpunuar nga ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it, të dy të ulur sot në krah të ambasadorëve. Varianti i paraqitur është një reflektim i sugjerimeve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias si dhe ofron përgjigje për shqetësimet e ngritura nga opozita për të paktën 10 aspekte të ndryshimeve kushtetuese.

Ambasadori amerikan Donald Lu vlerësoi maksimalisht ekspertët e dy misioneve, duke deklaruar se mbështet dokumentin e përgatitur prej tyre, pasi besonte "në integritetin, njohurinë, paanshmërinë politike të dy ekspertëve ndërkombëtarë”. Duke ju drejtuar anëtarëve të Komisionit, ai bëri thirrje që ta studionin dokumentin e të ngrinin pyetjet e nevojshme, ndërsa “në fund të ditës ju kërkoj të gjithëve të votoni pro reformës në Drejtësi”, shtoi ai.

Ambasadori amerikan ishte mjaft i drejtpërdrejtë kur tha se “nëse kjo reformë dështon, ju anëtarët e këtij komisioni turpëroni veten përpara atyre që ju kanë zgjedhur dhe gjithashtu do të turpëroni marrëdhënien tuaj me SHBA dhe BE. Fatmirësisht ne së bashku nuk do të lejojmë të dështojë” theksoi ai

Edhe ambasadorja Vlahutin ishte në të njejtin pozicion kur saktësoi se “BE-ja dhe SHBA-të, janë këtu, sepse jemi të interesuar për Shqipërinë e nuk do të lejojmë që politika e ditës të lëndojë këtë të ardhme të Shqipërisë. Do ndihmojmë që të bëhet një demokraci plotësisht funksionale dhe e qëndrueshme”.

Ambasadori amerikan kujtoi faktin se për këtë reformë, si asnjë herë me parë për një cështje, ka patur mbështetje nga kancelarja gjermane Angela Merkel, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e Jashtme Federica Mogherini, nga Komisioneri europian Johannes Hahn, nga sekretari amerikan i Shtetit John Kerry si dhe presidenti Barack Obama, u shpreh ambasadori Lu ndërsa paralajmëroi se “e mëshiroj partinë e verbër politike, apo udhëheqësin e shurdhër politik që e bllokon këtë Reformë. E para do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokuroërt e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë. Ndaloni lojërat politika. Dhe filloni ta përfundoni këtë Reformë. E keni për detyrë”, u shpreh ambasadori Lu.

Edhe kolegia e tij e BE-së, Vlahutin deklaroi se vendi “ka një shans unik që nuk duhet shpërdoruar”, ndërsa kujtoi se miratimi i reformës para verës dhe nisja e zbatimit në vjeshtë “do të hapë mundësinë për Shqipërinë që të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni europian për celjen e bisedimeve të anëtarësimit. Nëse e humbasim këtë mundësi, vendi nuk do të humbasë vetëm një vit, por shumë vite. Eshtë shumë e rëndësishme për ju dhe qytetarët që të kuptojnë se për cfarë bëhet fjalë. Shqipëria nuk mund të humbasë më shumë kohë”.

Sipas ambasadores Vlahutin “nëse kjo Reformë zbatohet siç duhet, së pari e më kryesorja, do të sjellë standartin europian të drejtësisë dhe një sistem drejtësie funksional që nuk do të varet nga politika e përditshme. Do të sjellë një sistem të pastër nga ata që e kanë abuzuar e shfrytëzuar, ata që kanë përfituar, që kanë mbrojtur e kanë toelruar krimin, në vend që ta ndëshkonin, dhe do të sjellë një sistem të gatshëm të ndëshkojë e të ndjekë penalisht, këdo që prek paratë dhe besimin publik”

Komisioni ka vijuar mbledhjen me paraqitjen e variantit përfundimtar nga ekspertët e OPDAT-it dhe EURALIUS-it. Dy ambasadorët Lu e Vlahutin ndoqën diskutimet me dyer të mbyllura. Sipas ambasadorit Lu, Komisioni do të duhet të përmbyllë punën brenda këtij muaji, dhe në qershor reforma të miratohet nga parlamenti. Ndërsa shumica propozoi miratimin në parim të variant të paraqitur, opozita kërkoi më shumë kohë, për të vlerësuar sic tha zoti Halimi, si janë reflektuar vërejtjet dhe shqetësimet e tyre lidhur kryesisht me ngritjen e institucioneve të reja dhe kapjen e sistemit të drejtësisë. Komisioni do të mblidhet të hënën. Kryetari i tij Fatmir Xhafaj deklaroi pas mbledhjes se gjatë gjithë javës së ardhshme do të punohet me intensitet. Tanimë theksoi ai “nuk ka më kohë për fjalë e sebepe, por për t’i shkuar deri në fund procesit”.

.

XS
SM
MD
LG