Lidhje

Kosova e Shqipëria rrisin bashkëpunimin financiar

  • Leonat Shehu

Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë thanë sot se bashkëpunimi ndërmjet tyre është një hap i rëndësishëm drejt njohurive financiare për qytetarët e ty dyja vendeve. Këto komente u bënë në Prishtinë në konferencën, “Sistemi Bankar dhe Zhvillimi Ekonomik”, i organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës dhe Banka e Shqipërisë, gjatë së cilës ata nënshkruan një marrëveshje për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet tyre.



Në këtë bashkëpunim përfshihet edhe krijimi i një libri të përbashkët që siç thuhet ka për qëllim “qartësimin dhe zgjerimin e mëtejmë të njohurive financiare për qytetarët e ty dyja vendeve”.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani thanë se ky libër i përbashkët do të rrit edhe më tej bashkëpunimin në mes të dy vendeve

“Dhe në këtë kontekst si gjithmonë, Prizreni vazhdon të mbetet burim i pashtershëm inspirimi sepse pas unifikimit të abetares së gjuhës shqipe, dy bankat tona kanë vendosur të punojnë bashkërisht në projektin e abetares financiare, që në esencë ka për qëllim qartësimin dhe zgjerimin e të njohurive financiare”, tha Guvernatori Gërguri.

“Mendoj që do të jetë një dokument mjaft i rëndësishëm që do të rrisë bashkëpunimin ndërmjet dy bankave tona, por njëkohësisht do të sjellë një element të ri mjaft të rëndësishëm në treg, edukimi financiar që është domosdoshmëri për një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomive tona të ardhmen. Kush është mirë i edukuar, ai e zgjedh drejt rrugën e tij të zhvillimit e prosperitetit”, tha Guvernatori Fullani.

Të dy Guvernatorët thanë se me gjithë zhvillimet jo të favorshme në ekonominë globale, ekonomia e dy vendeve ka vazhduar të rritet, duke u karakterizuar me stabilitet fiskal e financiar.

“Pavarësisht kësaj situate të turbullt ndërkombëtar, ekonomitë tona kanë mundur të ruajnë një ecuri të qëndrueshme. Konsumi dhe investimet në sektorin privat kanë vazhduar të kenë rol parësor në zgjerimin e aktivitetit ekonomik të ekonomisë së Kosovës, ndërkohë që në Shqipëri një rol parësor ka luajtur kërkesa e jashtme. Treguesit tjerë vazhdojnë të jenë nën kontroll ndonëse tendencat e tyre janë subjekt i një monitorimi të vazhdueshëm”, tha Guvernatori Fullani.

“Në rrafshin makroekonomik Kosova portretizohet sot si një ekonomi e vogël, e hapur dhe në rritje ku treguesit kryesor makroekonomik të saj, si ai i deficitit fiskal dhe ai borxhit publik ndaj prodhimit bruto të brendshëm janë më të vogël se dy për qind, përkatësisht më të vogël se shtatë për qind, gjë që demonstron që vendi ynë po ecën në mënyrë të disiplinuar, por edhe të qëndrueshme në rrugëtimin e vet drejt integrimit evropian”, tha Guvernatori Gërguri.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore për vendet e Evropës Juglindore, në mes të cilave edhe Kosova e Shqipëria, thuhet se këto vende po përballen me një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes ekonomike si pasojë e pasigurive që po shtohen në eurozonë.
XS
SM
MD
LG