Lidhje

Diskutime në Vjenë për autostradën Nish – Prishtinë – Durrës


Shqipëria, Kosova e Serbia debatuan të enjten në Vjenë ndërtimin e autostradës që do të lidhë të tri vendet

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Kosovës, Isa Mustafa dhe i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, diskutuan të enjten në Vjenë për ndërtimin e autostradës Nish - Prishtinë - Durrës. Në diskutimet që u zhvilluan në kuadër të takimit mbi Ballkanin Perëndimorë, morën pejsë edhe ministri i jashtëm austriak, Sebastian Kurtz, Komisionari për negocim të zgjerimit të BE-së Johannes Hahn dhe përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Bankës Evropiane për Investime.

Kryeministri Rama tha se “projektet e mëdha të infrastrukturës, qoftë autostrada Nish Prishtinë Durrës, qoftë autostrada Adriatiko Joniane, janë projekte evropiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër është e rëndësishme që ndërtimi i këtyre dy projekteve të fillojë sa më shpejt dhe për këtë nevojitet ekspertiza dhe mbështetja financiare e Komisionit Evropian dhe institucioneve financiare. Ndërtimi i këtyre dy autostradave do të rrisë shkëmbimet tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të nxisë turizmin mes këtyre vendeve”, tha ai.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi “gatishmërinë e Kosovës për të punuar në përfundimin e kësaj autostrade, duke e vlerësuar të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për lëvizjen e qytetarëve të rajonit”.

Ndërsa kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha se “falë këtij projekti Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tre orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë”.

Në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet, ndërkohë BERZH dhe BEI, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Evropian, do të ndihmojnë në financimin e këtyre dy autostradave.

Autoritetet në Prishtinë thonë se autostrada në territorin e Kosovës, është vazhdimësi e autostradës “Ibrahim Rugova”, e cila tashmë është përfunduar deri në veri të Prishtinës, ndërsa kanë mbetur edhe 24 kilometra deri në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Autoritetet serbe thonë se janë të gatshme që menjëherë pas studimit të fizibiltetit të fillojë ndërtimin e autostradës Nish – Merdarë me gjatësi prej 77 kilometrash.

XS
SM
MD
LG