Lidhje

Shqipëri: LSI ndryshon ministrat e saj në qeveri

  • Armand Mero

Ministri Haxhinasto thërret në takim ambasadoren e Zvicrës

Ministri Haxhinasto thërret në takim ambasadoren e Zvicrës

Ministri i jashtëm, Edmond Haxhinasto kalon tek ekonomia dhe vendin e tij e zë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti

Në Shqipëri Lëvizja socialiste për Integrim, aleatja kryesore e demokratëve të kryeminisrit Sali Berisha njoftoi mbrëmë propozimin për një seri ndryshimesh në tre ministritë e kontrolluara prej saj. Dy prej tyre, ministri i Shëndetësisë dhe ai i Ekonomisë dorëhiqen ndërsa në vendet e tyre emërohen figura të tjera të kësaj partie. Në këto lëvizje është përfshirë edhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto i cili do të kalojë në ministrinë e Ekonomisë dhe vendin e tij pritet ta zërë nënkryetari aktual i Bashkisë së Tiranës Edmond Panariti.
Mbledhja e mbrëmshme e kryesisë së Lëvizjes socialiste për Integrim i ka shtrirë efektet përtej selisë së saj. Me një lëvizje të papritur, Ilir Meta, kryetari i kësaj force politike e cila që prej 2009 është pjesëtare e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha, njoftoi ndryshimin e ministrave të saj. LSI, sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me demokratët ka kontrollin e ministrisë së Jashtme, asaj të Ekonomisë dhe të Shëndetësisë. Dy nga ministrat aktualë, do të mbeten jashtë kabinetit qeveritar.

Ministri i Ekonomisë Nasip Naco, pritet të rikthehet në pozicionin e mëparshëm, atë të nënkryetarit të parlamentit. Ky post mbahet nga deputeti tjetër Vangjel Tavo i cili do të bëhet pjesë e qeverisë, duke shkuar në ministrinë e Shëndetësisë, në vend të zotit Petrit Vasili i cili rikthehet në funksionet partiake, duke drejtuar fazën organizative në pritje të kuvendit kombëtar dhe zgjedhjeve të drejtuesve të rinj te Lsi.
Lëvizjeve të njoftuara mbrëmë nga zoti Meta nuk i ka shpëtuar as ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto. Pavarësisht se ai do të vazhdojë të jetë edhe zëvendës kryeministër, zoti Haxhinasto tërhiqet nga diplomacia për të kaluar në ministrinë e Ekonomisë. Ne vend të tij është propozuar emri i Edmond Panaritit, 52 vjecarit që u emërua nënkryetar i Bashkisë së Tiranës vitin e shkuar. Zoti Panariti, me një profil akademik, nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme diplomatike.
Zoti Meta nuk dha shpjegime mbrëmë për këto lëvizje. Pak ditë më parë në media ai kishte folur për nevojën e ndryshimeve në qeveri e cila sipas tij duhej të adoptonte një axhende më një ritëm më të lartë e më të shpejtë.
Kjo është hera e tretë që Lëvizja socialiste për Integrim ndryshon ministrat e saj. Në vjeshtën e vitit 2010 ishte zoti Meta që la ministrinë e Jashtme për të marrë atë të ekonomisë, ndërsa diplomacia ju besua zotit Haxhinasto. Pak muaj më vonë zoti Meta u detyria të jepte dorëheqjen pasi u përfshi në skandalin e bisedës së rregjistruar mes tij dhe ish ministrit të tij të Ekonomisë Dritan Prifti. Në janar të 2011 dikasteri i Ekonomisë ju besua nënkryetarit të atëhershëm të parlamentit Nasip Naco.
Lëvizjet e mbrëmshme pritet vetëm të zyrtarizohen nga kryeministri Sali Berisha, i cili ndërkohë duhet të emërojë edhe ministrin e ri të Brendshëm, post i mbetur vakant pasi zoti Bujar Nishani u zgjodh javën e shkuar si presidenti i ri i vendit.
XS
SM
MD
LG