Lidhje

Një inpektor policie që bashkëpunon me krimin


Policia njoftoi se ka dokumentuar rastin e parë ku një inspektor policie është gjetur i përfshirë në kultivimin e marijuanës në një zonë në juglindje të Shqipërisë.

Policia tha se ndaj inspektorit është vendosur masa e sigurisë "Arrest me burg" për "Shpërdorim detyre" dhe "Kultivim të bimëve narkotike", por ai i ka shpëtuar arrestimit.

Policia tha se dy persona të tjerë janë arrestuar lidhur me kultivimin e rreth 18 mijë bimëve të dyshuara si narkotike në fshatin Qinam-Radovickë të Kolonjës.

Personat e arrestuar janë nga Tirana dhe po hetohet mënyra se si ata mbollën mijëra bimë narkotike të “pashqetësuar” nga policia e Kolonjës. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në polici hetoi këto ditë lidhur me kultivimin e sipërfaqes masive, e cila u zbulua një javë më parë në një zonë pyjore.

Policia vazhdon të jetë objekt kritikash të forta për mundësinë që u ka dhënë kultivuesve të marijuanës të mbjellin dhe rrisin në zona të ndryshme në të gjithë vendin dhjetëra mijë bimë narkotike.

Inspektorët e zonave janë përgjegjës të drejtëpërdrejtë për veprimtarinë parandaluese ndërkohë që edhe organet e qeverisjes vendore dhe strukturat e tjera shtetërore duhet të vepronin për administrimin e territorit dhe sidomos, të sipërfaqeve të mbjella.

Lënda narkotike është zbuluar edhe në disa zona të mbrojtura dhe pyje ku duhet të vepronin edhe inspektorët e mjedisit dhe pyjeve.

Opozita ka drejtuar gishtin ditët e fundit ndaj disa drejtuesve të policive në disa qarqe të vendit që sipas saj “kanë marrë në mbrojtje” sipërfaqet e kultivuara kundrejt pagesave nga trafikantët. Por Ministria e Brendshme i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur sulmet politike.

Përhapja e narkotikëve në Shqipëri ka ngjallur shqetësim për policitë e vendeve fqinje. Policia greke ka ndërmarrë herë pas here kohët e fundit operacione kontrolli në kufirin me Shqipërinë, duke zbuluar sasi marijuane me prejardhje nga Shqipëria.

Ndërsa policia italiane ka shtuar goditjen e rasteve të transportimit të marijuanës në hapësirën detare mes Vlorës dhe Otrantos.

Pak ditë më parë, në një operacion të zhvilluar në zonën e Tepelenës, oficerë të specializuar të rojës bregdetare italiane kanë marrë pjesë në ndërhyrjen në terren të policisë shqiptare për shkatërrimin e rreth 20 mijë bimëve marijuanë.

Operacioni u shoqërua me mbështetjen vëzhguese nga ajri edhe të një avioni të posaçëm italian për operacione të këtij lloji.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG